Loading...

Mbyllja e vitit akademik, Shahini: Rektorët kanë nisur hartimin e planeve, afati deri më 15 maj

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi sot se urdhri për marrjen e masave për vitin akademik 2019-2020 kërkon nga universitetet të fillojnë një planifikim urgjent e serioz për mbylljen e vitit akademik në kushtet e jashtëzakonshme në të cilat po punojmë.

“Situata me përhapjen e COVID-19 në Shqipëri po shkon drejt përmirësimit nga dita në ditë, po nuk jemi ende jashtë rrezikut, ndaj çfarëdo hapje e pjesshme e universiteteve duhet të shoqërohet me protokolle strikte për ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe pedagogëve”, u shpreh Shahini.

Ndaj, vijoi ajo, kemi kërkuar nga universitetet që të planifikojnë se cilat janë ato lëndë që mund të mbyllen online, pra që nuk do të ketë nevojë që studentët të kthehen në auditorë, numrin e studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditorë dhe laboratorë dhe se sa është numri i saktë i studentëve që do të futen në provime gjatë korrikut të këtij viti.

Ministrja bëri të ditur se universitetet kanë afat deri me 15 maj që të sjellin këto plane

“Më pas, në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë ne do të hartojmë protokolle se si do të operohet për ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe pedagogëve gjatë kohës që ata do të rikthehen në auditorë apo laboratorë.

Ministrja informoi më tej, se gjatë ditës së sotme ajo kishte komunikuar me rektorët e universiteteve publike dhe se ata i kishin konfirmuar se kanë nisur punën për të hartuar planet.

“Ndryshe nga sa pretendoi pozita gjatë fundjavës së shkuar që bëri një keqinterpretim kaotik të qëllimshëm, universitetet nuk janë të paqarta dhe kanë nisur nga puna për të siguruar shërbimin më të mirë e cilësor që studenti i tyre meriton”, deklaroi Shahini. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com