Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku deklaroi sot se Teatri Kombëtar nuk është vlerësuar kurrë si monument kulture dhe se nga ekspertët ishte shpallur i paristrukturueshëm.
Sipas Maznikut, nuk ka një moment të caktuar në histori që ky objekt të ishte vlerësuar si monument kulture.
Madje shtoi ai, Teatri në listën e vitit 2004 thuhej se ishte objekt pa vlerë
“Teatri nuk ka qenë kurrë monument kulture. Ansambli muzeal ka objekte specifike, teatri nuk ka qenë kurrë. Lista e 2004-s thotë objekt pa vlerë. Procedura për bërjen është që fillimisht vendosen disa objekte në ruajtje paraprake, vihet në vlerësim nga ekspertët e fushës dhe ata dalin me raport ky të ruhet, ky jo, është një objekt që në ’58 ka patur probleme me strukturën”, tha ai.
Sipas tij, çdo arkitekt e inxhinier ka thënë që ky objekt, nga ana arkitekturore është modest, nga ana e materialeve të përdorura është një godinë e degraduar.
“Ndërsa për vlerën historike, tha Mazniku, janë shprehur se kjo duhet të çmohet nga historia.
Nënkryetari u shpreh se “e kuptoj pjesën emocionale, e mirëkuptoj ndjesinë e njerëze”, por tha ai, “vjen një moment që duhet të marrësh një vendim, i cili ishte i vështirë”.
Sipas tij, kemi zhvilluar për 2 vite e gjysmë diskutime me artistët për këtë çështje.
“Objektivi i qeverisë dhe i bashkisë ishte të realizonim teatrin pa shpenzuar para publike, ku investitori ndërtonte dhe jepte teatrin pa para. Kjo marrëveshje nuk eci, pasi nuk u gjet marrëveshja. Në komision ishte edhe grupi i artistëve dhe marrëveshja nuk u arrit”, tha Mazniku.
Më pas, tha ai, u vendos që teatri të bëhet përmes një financimi publik.
Lidhur me pronën pas teatrit, Mazniku tha se ajo do të zhvillohet, por nuk do të tjetërsohet.
Sa i përket teatrit të ri, Mazniku tha se kemi një objekt të hartuar nga një arkitekt, që ndoshta është më i miri në botë sot.
Po ashtu, ai bëri të ditur se është bërë një konsultim i gjerë me artistët për të marrë të gjitha propozimet nga ana funksionale, në mënyrë që të ketë të gjithë elementët./atsh