“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë dhe situata është nën kontroll”, tha sot drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.
Brataj tha se ka rënie edhe të numrit të telefonatave drejt Urgjencës Kombëtare. “Numri ka rënë i thirrjeve si te 127, si te 08004040. Në këto momente jemi te 2039-2500 thirrje në 24 ore te 127 dhe 300-400 thirrje te 08004040. Duke menduar se në kohën e pikut të thirrjeve ne patëm 8300 thirrje në 24 orë, nga të cilat mbi 6000 ishin për COVID-19. Kështu që rënia është drastike, kjo është një shenjë e mirë që tregon nivelin e shoqërisë ose nevojat për ndihmë mjekësore”.
I pyetur nëse e kemi kaluar atë moment të rrezikshëm, Brataj tha se “unë mendoj se po, fakti i kësaj kurbe të sheshtë është kontrolli i saj ose menaxhimi i situatës dhe kjo për shkak të marrjes së masave të marra që në fillim, sidomos distancimi social. Ne hyjmë në ato vende që morëm masa menjëherë dhe çoi në kontrollin e epidemisë. Kjo pati disa faktorë pozitiv që sot, po shohim se shtetet po fillojnë të lirojnë masat. Ato që morën masat menjëherë e kanë situatën nën kontroll”.
I pyetur se sa ndikon rritja e temperaturave në uljen e infeksioni, Brataj tha se “ka disa faktorë dhe midis tyre është dhe temperatura e lartë dhe nuk diskutohet, por siç e pamë faktori kryesorë është distancomi social. Ne këtë periudhe duhet të mbushim mendjen se do të bashkëjetojmë për disa kohë me COVID-19, sepse është një virus i ri dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë”.
Brataj theksoi se “mendoj se jemi drejt kontrollit të situatës dhe kjo do të tregojë pas dy javësh të lirimit të masave sa do të jetë numri i të infektuarve, varet nga respektimi i rregullave”.
Në lidhje me rrezikun e kësaj faze të lirimit të masave, Brataj shtoi se “Shqipëri nuk është se i ka masat ndryshe nga vendet e tjera. Po të shohim që nga fillimi i pandemisë, masat janë të gjitha njësojë, me ndryshimin, se kush mori me herët dhe me vonë dhe u dukën rezultate. Është kritik ky moment, lirimi i masave dhe njerëzit që do dalin, por duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse pas dy javësh do kemi raste të shtuara do merren masat sërish”, theksoi ai. /atsh