Drejori i Urgjencës Kombëtare Shëndetësore, Skënder Brataj u shpreh se Shqipëria ka respektuar zbatimin e masave kundër COVID-19 dhe shifrat janë mjaft pozitive.
Gjatë një interviste televizive ai tha se, “ky është momenti të lehtësohemi nga ana e gjendjes aktuale që kemi, por vigjilenca duhet të jetë maksimale, pasi është momenti kur varet ecuria e kësaj sëmundjeje, shëndeti i njerëzve dhe vazhdueshmëria e sezonit veror e më tej”.
Në këtë moment, tha Brataj, kemi treguesit më të mirë për sa i përket të gjitha aspekteve të numrit të infektuarve dhe shpërndarjes së virusit, ndaj dhe kemi lehtësim të masave, por duhet të respektojmë rregullat ashtu si për çdo sëmundje.
“Nëse nuk respektojmë rregullat do të gjendemi në situata të përsëritjes së rasteve me të sëmurët. Shqipëria nuk ka pasur një infeksion të shtrirë, ka pasur vatra nëpër qytete që janë identifikuar, gjurmuar dhe bllokuar menjëherë”, – tha Brataj.
Ai bëri apel për vazhdimin e rregullave dhe masave mbrojtëse që parandalojnë përhapjen e COVID-19.
Brataj shpjegoi se nga e hëna spitali i Sanatoriumit i është kthyer normalitet, spital Covid vazhdon vetëm Infektivi dhe numri i të sëmurëve është i ulët në këtë moment.
“Lirimi i masave i jep efektet pas 2 javësh, ndaj do të shohim në fund të muajit dhe në fillim të qershorit, efektin e lirimit të masave dhe sidomos respektimin e tyre. Ndaj njerëzit duhet të ndërgjegjësohen se janë ata ruajtësit e shëndetit të tyre”, – theksoi ai.
Ka shtete ku po rritet numri i të infektuare ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshsëm në respektimin e masave mbrojtëse. Të jemi shumë të kujdesshëm dhe kur të hapim kufijtë, u shpreh Brataj. /atsh