Loading...

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama, vendosën sot kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.

Në ceremoninë e nderimit, krerët e lartë të shtetit në tingujt e himnit kombëtar përkujtuan Dëshmorët e Kombit në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, në Varrezat e Dëshmorëve këtë vit nuk ishin të pranishëm autoritete të tjera shtetërore apo familjarë të Dëshmorëve, por vetëm u vendosën kurora nga personalitetet e larta shtetërore.

Më herët, edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të kapiten Feti Voglit, të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte në “Varrezat e Dëshmorëve” në qytetin e Elbasanit për të kujtuar në këtë 5 maj Dëshmorët e Atdheut. Balla tha se “sot kujtojmë gjithashtu edhe dëshmorët e rënë nga radhët e Forcave tona të Armatosura në misionet ndërkombëtare, dëshmorët nga radhët e Policisë së Shtetit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com