Shkrimtarja Helena Kadare, gjatë një emisioni televiziv ka shprehur vlerësim maksimal për bluzat e bardha që janë në vijën e parë të betejës ndaj COVID-19.
Ajo shprehet se sapo të ketë mundësi do t’i përulet atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk gjen gjëkundi.
“Kam parë një emision “brenda COVID” dhe ishte tmerrësisht tronditës sepse pashë brenda në spitalin Infektiv ato gra e burra, kryesisht gra, ishte një punë e jashtëzakonshme, që na ka tronditur se çfarë pune bëhet atje që njerëzit nuk e dinë. Mendova se sapo të kem mundësi, të shkoj e t’i përulem atyre grave mes të cilave pash një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time”,- tha Kadare.
“Kam dëgjuar që qytetarët i kanë respektuar rregullat aty, por ka pasur edhe nga ata të disi të papërgjegjshëm. Dëgjova një zonjë e cila thoshte ‘nuk kam frikë’, por kjo nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik për njerëzit e dashur”,- apeloi shkrimtarja Kadare. /atsh