Loading...

Gati protokollet e sigurisë në plazhe/ Manastirliu: Çadrat me 3.5 metra distancë nga njëra-tjetra

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “ne jemi ende në periudhë epidemie dhe nuk duhet ta ulim për asnjë moment vigjilencën sepse ky është momenti i vigjilencës maksimale për t’u mbrojtur”.

E ftuar në një studio televizive, Manastirliu tha se “shtimi i rasteve të reja ditore ishte i pritshëm pasi nga data 18 maj ne hymë në një prej fazave më të mëdha të hapjes dhe gjatë 2 javëve në vijim pritej edhe rritje e numrit të infeksionit”.

Ajo tha se “kurba e epidemisë vijon e sheshtë dhe ajo që përcakton kthimin mbrapa janë disa kritere së bashku: rastet pozitive ditore, rastet e shtrimeve në spital, rastet në terapi intensive dhe fatalitetet”.

“Për momentin kemi vatra dhe janë kontakte në të njëjtën zonë. Ne aktualisht në Shqipëri kemi mbi 20 vatra. Vatrat janë familjare dhe janë të përqendruara 60% e rasteve në Tiranë. Kemi një rritje të numrit të të infektuarve, që kryesisht janë asimptomatikë. Për momentin nuk ka studime deri më sot shkencore që të vërtetojnë që klima ka ndikim. Nuk kemi asnjë të intubuar për momentin”, tha ajo.

Manastirliu tha se “nëse do të kishim 2-3 fishim të rasteve të reja, rritje të numrit të të shtruarve, 80 të shtruar në Spitalin Infektiv dhe të intubuar 15-20 raste ne stopojmë nuk bëjmë hapa para, por rrimë në vend. Nëse kjo rritet përtej bëjmë hapa mbrapa”.

Ulja e vigjilencës në këto momente, sipas saj, “mund të na sjellë pasoja për të cilat mund të pendohemi”. “Nëse vijojmë të mos kujdesemi patjetër që mund të kemi agravime dhe përhapje të infeksionit në nivel komunitar që do të na kthente mbrapsht”, tha ministrja.

Nga 1 qershori, Manastirliu tha se do të kemi një hapje brenda territorit të vendit në të gjitha zonat. “Lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve, automjeteve. Nuk do të ketë më zona të kuqe, por kjo nuk do të thotë se bie risku dhe Tirana është zonë ende e nxehtë. Hapim çerdhet dhe kopshtet, hapim kufijtë tokësorë. Në momentin që ne kemi vendosur të hapim edhe kufijtë bie vetëkarantimi 2-javor”, tha ajo.

Lidhur me transportin publik, Manastirliu tha se “është shqetësim për qytetarët dhe për ne, por jemi duke punuar për një plan që shumë shpejt do të bëhet i njohur për publikun për transportin e sigurt”.

Lidhur me plazhet, ministrja kujtoi se në Spanjë edhe sot nuk është dhënë datë se kur do të fillojnë plazhet. “Është çështja te protokollet e sigurisë dhe masat që duhet të marrin qytetarët sepse plazhet janë vende të grumbullimeve publike, dhe nëse ne nuk do të kemi vendosje të strukturave që zbatojnë protokolle të sakta, për të cilat jemi duke punuar dhe besoj se nga data 1 qershor do të kemi protokolle që do të përcaktojnë kritere për plazhe me çadra e shezlonge në largësi të përcaktuar 3.5 metra nga çadra në çadër”, tha ministrja.

Ajo tha se “protokolli është gati, është i miratuar dhe nesër bëhet publik për turizmin”.

Lidhur me respektimin e masave, Manastirliu tha se “ne jemi duke punuar me një grup si taskforcë ku përfshihen struktura të ndryshme shtetërore që nuk do të shqetësojnë biznesin për t’i vajtur 10 herë në derë me kontrolle”.

Ne ishim të suksesshëm në përballjen me COVID-19, tha ministrja duke shtuar se “ne jemi vendi në rajon me fatalitetet më të pakta, në Europë jemi të 2 pas Sllovakisë, dhe sa i përket numrit të infektimeve jemi të katërtit në Europë”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com