Regjisori Altin Basha në një intervistë për Euronews, është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, që do të jetë i pari, pasi ai që ekziston sot është emëruar i tillë, por nuk ka qenë parashikuar që të funksionojë si teatër. Idenë e ndërtimit të teatrit me para të buxhetit të shtetit, sipas regjisorit të njohur, është ideja më e mirë e mundshme.
“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm, pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh Basha.
Sipas tij, pjesa dërrmuese e artistëve e mbështesin idenë e ndërtimit të një teatri të ri, ndërsa solli në kujtesë dhe rastet kur vende të tjera kanë shembur teatrin kombëtar.
“Po u jap dy shembuj, Hungaria e ka shembur tri herë teatrin kombëtar. Një herë e ka shembur për të ndërtuar hyrjen e metrosë së Budapestit. Suedia e ka shembur, ka pasur një teatër prej druri. Nuk shoh ndonjë gjë dramatike në shembjen e asaj ndërtese dhe ndërtimin e një teatri. Do të ishte dramatike nëse aty nuk do të ndërtohej teatër. Për sa kohë marrim më shumë salla dhe teknologji”, deklaroi regjisori.
Basha duke folur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar tha se do të jenë tri salla me një kapacitet prej 1 mijë spektatorë, ndërsa vetëm investimi në teknologji do të arrijë në 10 milionë euro.
“Ka tri salla të mbyllura, një sallë të hapur një ka kapacitet 650, një 350 dhe 150 dhe do të përdoret një teknologji nga më të përparuarat në rajon. Është marrë për model teatri kombëtar bullgar dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Ka një kosto shumë të madhe, 10 milionë euro vetëm në teknologji. Do të jetë një teatër jo vetëm në parametra ndërkombëtarë, por një teatër jashtëzakonisht funksional. Jemi në prag të një zhvillimi shumë të rëndësishëm kulturor në këtë vend. Produkti do të jetë teatri i ri i Shqipërisë”, tha ai.
Regjisori thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.
“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja, sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike, do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që t’i shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës”, përfundoi Basha. /atsh