“Në atë teatër kam mbi 35 vjet të jetës time, por dhe jetën artistike të babait tim, por duke parë degradimin e asaj godine dhe burimin e shumë sëmundjeve nga lagështia, kalbësia dhe të asnjë komoditeti për krijimtarinë artistike të aktorëve, isha pro prishjes së tij”.
Kështu deklaroi sot aktori Anil Frashëri, djali i Artistit të Popullit Naim Frashëri, në një intervistë për media lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.
I pyetur nëse Naim Frashëri ka bërë ndonjë koment për këtë Teatër, Anili shprehet se “ka patur dëshirë për një teatër të ri që në vitet ’60 dhe këtë e ka ngritur në autoritetet e asaj kohe, por përgjigjja ka qenë “s’ka para””.
“Babai im që shumë rrallë zihet në gojë, si një nga themeluesit e Teatrit kombëtar dhe Hamleti i parë që foli në gjuhën tonë të bukur shqipe, ka patur dëshirë për një teatër të ri që në vitet ’60 dhe këtë e ka ngritur në autoritetet e asaj kohe, por përgjigja ka qenë “s’ka para””, tha ai.
“Sigurisht ajo godinë ishte një pjesë e madhe e jetës tonë si familje, pasi e ndiqnim babanë në rolet e tij, si grimohej, çfarë përdorte për shfaqjen dhe kryesoren lodhjen e tij, mbas çdo shfaqje aq sa, as për të na përqafuar, s’na përqafonte dot. Me një fjalë, ajo do mbetet në memorien tonë jo si godinë, por si shprehja më e madhe e emocioneve të babait dhe tonat gjithashtu. Pra nuk harrohet. Sa për trashëgiminë mendoj se ajo ruhet në memorien tonë si familjare dhe në memorien e atij spektatori që e ndoqi deri në fund të jetës së tij”, tha ai.
I pyetur lidhur me protestën e Aleancës që ka kundërshtuar prej më shumë se 2 vitesh prishjen e Teatrit Kombëtar, Anil Frashëri tha se “për protestat e aleancës së Teatrit mendoj se u ekzagjerua dhe po përdoret politikisht se përveç 2-3 që kanë lidhje me artin, asnjë tjetër nuk e përfaqëson atë dhe aq më pak të kenë parë më shumë se dy apo tre shfaqje”.
“Flas për pjesën më të madhe të tyre se ka dhe dashamirës të teatrit. Pra protestat e tyre nuk i shërbejnë Teatrit dhe artistëve por janë të injektuara politikisht, ndaj unë distancohem nga ata”, tha ai.
Sa për ngritjen e një teatri të ri siç ka qenë, Anil Frashëri tha se “jam absolutisht kundra, sepse vetëm platea mund të quhej disi e rregullt, ndërsa skena dhe anekset e saj nuk përmbushnin asnjë kusht për teatër”.
“Projekti i ri më duket ambicioz, por duhen marrë patjetër mendimet e komunitetit artistik se ç’duhet apo hequr nga ai projekt. Si projekt është madhështor, që i bën nder atyre që nuk rrojnë më, të tashmes dhe të ardhmes të Teatrit kombëtar”, tha ai.
Ai tha po ashtu se, Naim Frashëri gjithmonë në familje fliste për kushtet shumë të vështira në skenë, lagështia, i ftohti i madh, skena e kalbur etj. “Çdo vit kalonte bronkopneumoni të rënda dhe kaloi një pleurit të rëndë dhe u shtrua në Sanatorium. Kushtet e vështira të punës e kishin dëmtuar shëndetin e tij dhe ndikuan në ikjen nga kjo jetë”, shtoi ai.
Sipas tij, “gjatë interpretimit të Hamletit gjunjët i kishte copë nga gozhdët dhe gllënçkat që kishte skena, sepse Hamleti binte shumë herë në gjunjë gjatë shfaqjes”.
“Do t’u bëja thirrje komunitetit teatror të mos përçahen dhe të shohin drejt për të mirën e tyre dhe spektatorëve, të tregojnë dinjitet, profesionalizëm dhe të rrinë larg akuzave e sharjeve, siç kam parë këto ditë nëpër media. Të qëndrojnë larg politizimeve të tyre. Arti që bëjnë i takon vetëm popullit dhe jo politikës”, tha ai. (newsbomb.al)