Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se, prej datës 18 maj pothuajse të gjitha bizneset në të gjithë vendin janë në punë, pas kufizimit të diktuar nga situata e COVID-19.
Gjatë një interviste televizive ajo theksoi se, aktualisht ka shumë biznese që po aplikojnë për likujditet financiar me qëllim që të mos reduktojnë numrin e punonjësve dhe kësaj nevoje të tyre i ka shërbyer garancia sovrane e qeverisë.
“Në total për të gjithë periudhën janë rreth 80 mijë persona të larguar nga puna, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë adresuar në paketat e ndihmës të qeverisë. Ndërkohë që numri i pezullimit të bizneseve është shumë i reduktuar, pasi ata po e shohin këtë si një situate të përkohshme”- tha Denaj .
“Nga paketa e parë numri i përfituesve të pagës së luftës ishte 62 mijë e 421 persona, ndërkohë pagesën e parë dhe të dytë e kanë marrë 64 mijë 964 persons. Ndërkohë që deri më sot pagesën 40 mijë lekë e kanë marrë 110 mijë persona nga 176 mijë të anaoncuar”, u shpreh Denaj .
Denaj tha se, “për këtë pagë kemi pasur probleme proceduriale pasi me afatin 10 prill që u morë si bazë për aplikim, ne pamë që shumë biznese kishin ankesa për pjesën e deklarimit për punonjësit e larguar dhe ndaj me një VKM kemi shtyrë afatin edhe për të lehtësuar pjesën proceduriale por edhe për të adresuar një grup tjetër punonjësish të cilët vijnë nga grupi i personave të larguar nga puna”.
Kjo do të thotë shpjegoi Denaj që ne do zgjerojmë bazën e përfituesve të pagës së luftës, përtej 176 mijë individëve në më shumë persona.
“Obligimi ynë është që pagesa prej 40 mijë lekë të shkojë te individët që janë anoncuar si përfitues dhe kjo do të ndodhi në afatin e parashikuar që është data 5 qershor”, – tha ministrja.
Pavarësisht pengesave nga biznesi, punonjësit do të marrin pagën, deklaroi ajo.
Denaj tha se, në garancinë e parë sovrane e vënë në dispozicion të biznesit për pagat e punonjësve, bankat nuk kërkojnë kolateral dhe interesi është i subvencionuar nga qeveria për të gjithë bizneset.
“Janë 342 kredi të miratuara me një fond prej 4.2 miliardë lekë nga 674 aplikime që i adresohen një shume prej 6.8 miliardë lekë. Ndërkohë që fondi total i garancisë është 11 miliardë lekë. Ndërsa garancia e dytë sovrane është në një shumë prej 15 miliardë lekë dhe kjo përfaqëson 60% të kolateralit për biznesit. Për 40 % banka mund të kërkojë kolateral. Norma e interesit këtu është 5% dhe nuk është e subvencionuar”, – tha Denaj.
Për këtë garanci sovrane shpjegoj ministrja, kemi nënshkruan marrëveshjen me 8 banka dhe nesër nënshkruajmë me 4 të tjera për t’i bërë të gjitha bankat aktive./atsh