Loading...

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi sot se “jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë të infektimit nga COVID-19, nëse ndodh, në kushtet kur po vijohet me lehtësimin e masave izoluese”.

Në një intervistë në media, Brataj tha se janë marrë masat me shtimin e ventilatorëve si dhe janë bërë skenarët.

Për shkak të masave të forta dhe të shpejta që u morën, Brataj tha se “ne edhe në valën e parë nuk kemi shfrytëzuar as burimet tona pa ardhur ndihmat”.

“Vendet që morën masa të menjëhershme izolimi e disiplinuan disi, ndërsa vendet që nuk morën masa patën një “shok”, u shpreh ai.

Sipas Bratajt, është vënë re se te ato vende që u morën masat që në fillim edhe me lirimin e masave, ka patur raste të pakta të infektuarish, një rritje prej 0.2%.

Ndërsa tek vendet që nuk morën masa të forta izolimi, që në fillim vihet re një rritje më e madhe e numrit të të infektuarve, edhe me lirimin më të pakët të masave.

Ai shprehu besimin se situata do të shkojë drejt përmirësimit, pasi sipas tij, janë disa faktorë favorizues për lehtësimin e gjendjes.

“Viruset kanë një periudhë që shfaqet, arrin kulmin dhe më pas nis rënia derisa sa zhduket siç është gripi dhe viruset e tjera që shfaqen nga tetori deri në mars. Po ta marrim si sezon edhe ky virus po e bën ciklin e vet. Nga dhjetori që u shfaq në Kinë jemi në muajin e 6. Virusi pas kapjes së kulmit ka rënien e virulencës së tij, qoftë si mutacion, për shkak të ndryshimeve që pëson, qoftë për shkak të temperaturave që rriten në verë. Por edhe për shkak të karakteristikave të popullsisë, pasi popullsia shqiptare është më e re, nuk është si ajo spanjolle, italiane, apo angleze. Rol mund të ketë edhe imuniteti i Ballkanit, pasi shikojmë që në këto vende ka patur një ndikim më të vogël. Këtu mund të luajë rol gjenetika, apo mënyra e vaksinimit. Janë shumë faktorë për të mos shfaqur numër të lartë të të infektuarish”, tha Brataj.

Më tej, Brataj theksoi se temperaturat e larta janë jo favorizuese për çdo virus.

“Ka edhe një faktor. Në këtë periudhë dymujore izolimi pati një stopim të të gjitha sëmundjeve infektive, as raste gripi, tuberkulozi, fruthi, sëmundje të kohës që kanë patur gjithmonë një përqindje. Izolimi i zhduk”, u shpreh ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com