Besimtarët myslimanë kanë falur sot namazin e Fitër Bajramit në të gjitha xhamitë e vendit.
Në kryeqytet, falja e Namazit u zhvillua te xhamia e Kokonozit, (Pazari i ri) ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu.
Ndryshe nga vitet e tjera, falja e Fitër Bajramit këtë vit u zhvillua në të gjithë vendin duke respektuar një protokoll të caktuar në kuadër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Ceremonia filloi me ligjëratën e rastit të mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, i cili pasi kërkoi mirëkuptim nga të gjithë besimtarët për masat e lartpërmendura, u fokusua mbi devotshmërinë, përkushtimin, sakrificën, solidaritetin, dashurinë dhe vëllazërinë mbarënjerëzore që simbolizon muaji i bekuar i Ramazanit.
“Sot triumfoi edhe një herë e mira ndaj të keqes, virtyti ndaj veseve të këqija, dashuria ndaj urrejtjes, respekti ndaj përçmimit, thjeshtësia ndaj mendjemadhësisë, bujaria ndaj koprracisë dhe vëllazëria ndaj përçarjes sepse ishin mirësitë e Ramazanit të cilat e zbukuruan dhe e ndriçuan mendjen dhe shpirtin e besimtarit në mënyrë që të heqë dorë nga çdo e keqe e të bëhet pishtar i së mirës dhe i dashurisë. Ky është mësimi i Kuranit, këto janë këshillat që na la me kaq përkujdesje shembulli më i lartë i njerëzimit, Muhammedi (Paqja dhe Mëshira e Allahut Qoftë mbi Të)”, – tha ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, ceremonia vijoi me faljen e namazit të Fitër Bajramit nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Pas faljes së namazit, kryetari Spahiu vijoi me hutben, ku foli mbi kurorëzimin e muajit të shenjtë të Ramazanit në kushtet e pandemisë COVID-19.
Sipas tij, besimtarët mysliman përjetuan këtë vit një Ramazan ndryshe, sidomos në aspektin social por kjo nuk i privoi ata të adhuronin Zotin e Gjithësisë dhe t’i shfrytëzonin mundësitë e panumërta që ofron ky muaj në aspektin shpirtëror.
“Lutjet, adhurimet, sakrificat dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë Ramazanit, na forcojnë e na motivojnë ta shohim festën e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë e dashurisë për njeriun. Ditët e Bajramit janë ditë paqeje, janë ditët e gëzimit të përbashkët me familjen, me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit kudo në botë. Kur besimtari është në paqe me Zotin, ai është në paqe me veten e tij dhe rrjedhimisht me të gjithë ata që e rrethojnë”, – theksoi ai gjatë hutbes.
Në përfundim të kësaj ceremonie, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre. Ndërkohë e njëjta atmosferë festive ka shoqëruar faljen e Fitër Bajramit në çdo xhami të vendit. /atsh