Loading...

“BE gati të hapë negociatat me Shqipërinë”/ Varhelyi: “Korsitë e gjelbra” për lëvizjen e lirë të mallrave në rajon, sinjal pozitiv shumë premtues

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “në samitin virtual të BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do duhet të dërgohet një sinjal i qartë: BE kërkon të investojë në mënyrë strategjike me gjithë krizën e Coronës”.

Në një intervistë për DW, Varhelyi tha se “samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën europiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Varhelyi tha se, “BE është gati. Në mars pati një përkushtim të qartë, kur të gjithë miratuan fillimin e negociatave. Jam shumë optimist, se do ta bëjmë këtë. Mendoj, se këto gjëra janë pjesë e kulturës europiane të negociimit, që herë pas here ka si hapa mbrapa edhe progres. Por në fund vlen rezultati. Nëse i shikoni arritjet e këtij Komisioni Europian, atëherë do të dalloni, që ne e kemi vënë Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin sërish në axhendën e ditës. Krerët në BE do të merren me këtë, madje në mesin e krizës së Coronës. Mendoj, se ky është një konfirmim i qartë nga ana e BE”.

I pyetur nëse ka një datë konkrete për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Komisioneri për Zgjerimin tha se, “më kuptoni, me krizën e Coronës në rend të ditës është shumë e vështirë që t‘ju japim tani një datë. Por mund t’ju siguroj, se ne nga ana jonë punojmë fort, shumë fort që të përgatisim raportin vjetor të zgjerimit. Aty ne do të bëjmë një propozim për kuadër konkret të negociatave. Ky është hapi i parë drejt negociatave të vërteta. Komisioni Europian nuk humbet kohë, për të çuar përpara sa më shpejt të jetë e mundur procesin”.

I pyetur sesi po e ndryshon pandemia e Coronës strategjinë dhe politikën në drejtim të Ballkanit, Varhelyi tha se, “besoj, se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor. Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive”.

I pyetur se kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin, Varhelyi tha se, “besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi. Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. “Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”.

I pyetur nëse është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Varhelyi tha se, “shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Për sa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem sa më shumë të jetë e mundur”.

I pyetur se çfarë perspektive shikon për Bosnje-Hercegovinën sa i përket zgjerimit, Varhelyi tha se, “qeveria e re ka marrë vendime serioze, që me ardhjen e saj. Para disa ditësh qeveria ia ka dalë, të bjerë në ujdi për 14 detyra prioritare, që duhet të përmbushen, para se Bosnja të jetë një vend kandidat. Ne kishim ofruar një listë me 14 kërkesa, që duhen plotësuar në rrugën e anëtarësimit, kemi miratuar edhe një plan kohor. Kjo më jep shpresë, që po ecet përpara dhe se me qeverinë ne Bosnje-Hercegovinë shpejt do të futem në bisedime”.

I pyetur nëse do të përsëritet Samiti i Zagrebit në një takim të vërtetë, Varhelyi tha se, “e rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, me gjithë situatën, edhe pse është një takim virtual. Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet europian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com