“Ti drejtohemi kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqeje”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takimin me tregtarë në tregun agro-ushqimor në Rrogozhinë, ku, sipas tij, gjendja është e vështirë.
Pas takimit me fermerë që shesin produktet e tyre në Rrogozhinë, Basha tha se gjendja e fermerëve dhe të gjithë atyre që shesin prodhimet e bahçes, prodhimet e serës është edhe më e keqe se gjendja e bizneseve në zonën Tiranë-Durrës.
“Konsumi ka rënë në zero, rrinë këtu me orë të tëra dhe bëjnë 10-15 mijë lekë xhiro në javë. Askush nuk ka parë as ndihmë financiare, as ndihmë ushqimore, gjendja e fermerëve është e rëndë. Ky është realiteti, përpara kam fermerët me tezgat e tyre që gjysmën prej tyre do ta groposin sot sepse nuk shitet. Kjo është një gjendje katastrofale. Bujqësia shqiptare prej 7 vitesh është në një krizë të thellë, me mungesën totale të subvencioneve, me mungesën e çdo lloj interesimi dhe paketë mbështetjeje situata mund të përshkruhet kritike”, tha ai.
Po ashtu, Basha tha se qeveria me propagandë nuk mund ta fshehë realitetin dhe dështimin për mbështetjen e fermerëve, prandaj zgjidhja është t’i drejtohemi kutive të votimit dhe të largojmë të keqen.
“Vetëm te Teatri Kombëtar duan të harxhojnë 30 milionë euro të taksave të qytetarëve, që mund të kishin mbyllur komplet kanalizimet e Shqipërisë. Mund të ndihmonin mijëra familje ne nevojë ekonomike në këtë kohë të pandemisë. Kjo është një Shqipëri e robëruar ndaj shpëtimi i vetëm është që një orë e më parë të garantojmë që ju me votën tuaj t’i drejtoheni kutive të votimit dhe t’i japim fund kësaj të keqeje dhe të kthejmë demokracinë dhe institucionet, edhe ekonominë edhe mbështetjen për njerëzit punëtorë”, tha Basha./atsh