“Besoj që Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Gjatë një interviste televizive, i pyetur lidhur me raportin e publikuar të Freedom House ku sipas analistit kërkimor Michael Smelzer udhëheqësit në vendet në rajon po heqin dorë dhe nga fasada e demokracisë, Rama tha se “zotëria ka arritur në përfundimin e gabuar. Këtu s’bëhet fjalë për fasadë të demokracisë. Këtu bëhet fjalë për një demokraci në zhvillim dhe me të gjithë problematikat që ka zhvillimi”.
Përsa i përket lirisë së medias, Rama tha se “Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet. Flas për median në tërësi nuk flas për gazetarët në veçanti. Është një hapësirë e madhe, ku siç ka gjëra padiskutim me vlerë ka edhe një shumicë shpifjesh përditë, përditë, që janë jo thjesht produkt i gazetarëve, por edhe produkt në tërësi i mjedisit të debatit publik dhe që kalojnë pa asnjë filtër, pa asnjë faktim, pa asnjë argumentim thjesht kalojnë dhe njerëzit dynden me shpifje dhe pasaktësi. Ky është fakt”.
“Fakti është që në Shqipëri askush nuk pengohet të thotë çfarë të dojë dhe shumëkush thotë atë që i vjen për mbarë dhe shpesh ato që thuhen janë të pavërteta, të pasakta, janë gjysmë të vërteta, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha siç dihet. Dhe shpifje sigurisht sa të duash”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
“Sasia e të pavërtetave dhe gjysëm të vërtetave, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe e shpifjeve pa i hyrë në gjemb në këmbë askujt është në nivelet më të larta të planetit”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse do heqë dorë nga ligji i antishpifjes, Kryeministri Rama tha se, “absolutisht. Edhe ky është një rast konkret për të thënë sesa pak në media mund të gjesh të vërtetën dhe sa shumë gjen deformim. Sepse faktikisht ai ligj ka lidhje shumë pak ose aspak me shumëçka që është thënë mbi atë ligj në media”.
Rama u shpreh se patjetër që do të vazhdojë me ligjin e antishpifjes. /atsh