Ajo zgjohet çdo mëngjes herët dhe i uron një ditë të mbarë të gjithë nxënësve të saj. Urimi nuk është siç ka bërë në 30 vite të karrierës së saj, në klasë, por online nëpërmjet celularit apo laptop-it. Sigurisht teknologjia ka bërë që mësimi të jetë sa më afër normales në kohët e pandemisë së COVID-19 dhe ka ndihmuar mësuesit dhe nxënësit të vijojnë procesin mësimor edhe në këto kohë.
Sadete Lala është mësuese e lëndës së Matematikës në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç. Prej 30 vitesh, Lala është mësuese mjaft e përkushtuar. Ajo ka dhënë mësim në Klos, Burrel dhe Milot, tashmë prej 11 vitesh jep mësim në Laç.
Mësuese Sadetja ka arritur rezultate të larta me nxënësit e saj, ku disa prej tyre kanë qenë pjesëmarrës olimpiadash. Me natyrën e saj të qetë, dashamirëse, kontribuuese dhe shumë të përkushtuar për çdo detyrë që i ngarkohet në shkollë.
Sot, mësuese Sadetja gjendet në vijën e parë të frontit të luftës me mësimdhënien online. E përkushtuar, plot solidaritet ajo është pranë dijes dhe nxënësve të gjimnazit “At Shtjefën Gjeçovi”.
Por, përveç vështirësive prej koronavirusit, familja e mësuese Sadetes u godit edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, pasi shtëpia e saj në Laç u dëmtua prej tërmetit të 26 nëntorit, ashtu si dhe shumë shtëpi të nxënësve të saj. Megjithatë na tregon mësuese Sadetja ata janë të përkushtuar ndaj mësimit dhe bëjnë të pamundurën të ndjekin mësimet online përmes platformave të përdorura.
“As tërmeti dhe as pandemia nuk do të më ndalojnë së dhëni mësim për nxënësit e mi”, është mesazhi që mësuese Sadetja i jep nxënësve të saj, të cilët kanë kaluar disa muaj të vështirë.
“Përpiqem që në çdo hap të më shoqërojë sinqeriteti dhe mirësia në punën time”, thotë mësuese Sadete.
Ajo na shpjegon se “në fillim patëm vështirësi, por shumë shpejt ia morëm dorën. Mësimin e zhvillojmë nga ora 9- 14 çdo ditë përmes platformave online. Nxënësit marrin mësimin e ditës dhe modele ushtrimesh të zgjidhura. Pastaj me grupet që kemi ndarë plotësojnë ushtrimet e ndryshme”.
Për rikthimin në shkollë mësuese Sadetja thotë se, mezi po pret të ritakohet me nxënësit e saj me të cilët prej 2 muajsh takohet vetëm online.
“Nuk ka rëndësi sa herë rrëzohesh, rëndësi ka shpejtësia me të cilën ngrihesh”, është motoja e mësuese Sadetes, të cilën ia përcjell edhe nxënësve të saj, të cilët i përgatit për sfidat e jetës. /atsh