Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se “edhe sot krimi mori një përgjigje të shpejtë nga Policia e Tiranës, drejtuesit dhe oficerët e të cilës meritojnë përgëzime të veçanta”.
Në një reagim lidhur me rastin e arrestimit të tre personave lidhur me grabitjen në Zall-Herr, ministri Lleshaj tha se “me angazhim intensiv dhe profesionalizëm ata i dhanë qytetarëve një lajm lehtësues, pas tronditjes që shkaktoi grabitja e shëmtuar dhe e ulët e një nate më parë”.
“Goditja e fenomeneve të tilla, ku pabesisht dhe paturpësisht kryhen akte kriminale edhe brenda rretheve familjare, përveç reagimit policor, kërkon edhe reagim shoqëror”, – nënvizoi Lleshaj.
Sipas tij, këta persona duhet të paguajnë jo vetëm detyrimin përballë ligjit, por edhe atë përballë familjes dhe shoqërisë në tërësi.
“Policia e Tiranës dha sot një mesazh të mirë angazhimi në shërbim të qytetarëve”, – tha Lleshaj./atsh