Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar 47-vjetorin e revoltës në burgun e Spaçit, ku thirrja e parë e të burgosurve politik ishte Shqipëria do të bëhet si Europa.
Basha shprehet se “47 vjet më parë, kur diktatura komuniste e kishte zhytur Shqipërinë në izolimin e saj më të madh, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie e tronditën nga themelet Sigurimin e Shtetit, aty u thirr për herë të parë me zë të lartë se Shqipëria do të bëhej si Europa”.
“4 heronjtë martirë të Revoltës së Spaçit, Hajro Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ishin lajmëtarët se shqiptarët asnjëherë s’do të pajtoheshin as me dhunën, as me diktaturën komuniste e as me çfarëdo regjimi që do synonte t’u hiqte atyre lirinë. Në dokumentet e Sigurimit të Shtetit, aty ku raportohet për dhunën çnjerëzore që diktatura përdori për ta shembur rezistencën e të burgosurve politike raportohet me tmerr paralajmërimi profetik që qëndrestarët i bënë zv/ministrit të Brendshëm të diktaturës: “Edhe ju do të përfundoni këtu, sepse është ngushtuar rrethi dhe diktatura po ha bijtë e vet”-tha ai.
Po ashtu, Basha kujton qëndresën 3 ditorë të të burgosurve politikë në revoltën e Spaçit e cila u shtyp me gjak.
“Revolta e Spaçit dhe qëndresa 3-ditore e të burgosurve të Spaçit pati një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Ideja e qëndresës e tmerroi regjimin diktatorial. Për të treguar këtë trashëgimi të qëndresës së shqiptarëve, të cilët nuk e pranuan asnjëherë diktaturën, fiks 11 vjet më vonë, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit, ish-të burgosurit politikë u ngritën sërish në revoltë në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Të burgosurit politikë po e mposhtnin makinën e regjimit, jo vetëm me qëndresë madhështore, shembull në të gjitha vendet ish-komuniste, por edhe me simbole”-tha ai.
Në vijim Basha kujton dhe revoltën e të burgosurve politik të Qafë-Bari që pasoi atë të Spaçit.
“Qafë-Bari ishte një përkujtim i denjë i revoltës së Spaçit, 11 vjet më pas, dhe që të dyja revoltat janë sot një trashëgimi politike që e gëzon çdo rezistencë qytetare kundër padrejtësisë dhe kundër çfarëdo regjimi që e gënjen mendja se mund t’ju marrë shqiptarëve të drejtat e fituara në Lëvizjen e Dhjetorit ’90. Burrat që kryen revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit janë një frymëzim se kauzat fitojnë, edhe nëse ato kanë kundër falanga të armatosura. Nga Revolta e Spaçit vjen edhe paralajmërimi profetik se askush s’duhet të qëndrojë mënjanë, kur atdheu përballet me sfida të mëdha, sepse mekanizmi keqbërës i diktaturës herët a vonë do të mbërrijë edhe tek ata”, tha Basha.
Gjithashtu Basha shtoi se “nga revoltat e Spaçit dhe të Qafë-Barit ne trashëgojmë shembullin e atdhedashurisë. Duke nderuar kujtimin e martirëve të Spaçit dhe Qafë-Barit, shqiptarët nderojnë sot historinë e tyre të lavdishme të qëndresës ndaj diktaturës dhe rinovojnë angazhimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë kombëtare që kanë, për ta shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit”./atsh