Drejtoresha e përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, deklaroi sot se ”31 mijë maturantë do të kthehen në shkollë për të zhvilluar orë mësimi për 4 lëndët që i kanë provime të Maturës Shtetërore – matematikë, letërsi, gjuhë e huaj dhe lënda e provimit me zgjedhje, ndërsa janë marrë masat për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës”.
Në një intervistë televizive duke folur rreth kushteve dhe procedurave që do të ndiqen ditën e hënë për rifillimin e mësimit në shkolla, Gjini tha se “janë vënë në dispozicion 490 shkolla, të cilat janë dezinfektuar në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor për të qenë të gatshme për maturantët”
“Për të garantuar distancimin fizik dhe kushtet e higjienës autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe shkollat 9-vjeçare. Nuk do të jenë vetëm godina të shkollave të mesme, por edhe 9-vjeçare, kjo për të krijuar që në klasa bankat të vendosen me largësi nga 2 metra dhe që numri i maturantëve në klasa të jetë në 10-12 nxënës”, – nënvizoi Gjini.
Sipas saj, është hartuar orari mësimor dhe janë bërë shpërndarjet e nxënësve.
“Në çdo bankë nxënësit do të kenë dezinfektantë, maturantët do të duhet të zbatojnë një rregullore të rreptë të hartuar nga drejtoritë e shkollave dhe autoritetet e shëndetësisë, në këtë rregullore është përcaktuar mënyra e lëvizjes në korridore, si do të qëndrojnë klasa apo dhe mjedise të tjera të shkollës. Maturantët janë të detyruar duhet ta zbatojnë rregulloren në mënyrë që të gjithë të jenë të sigurt”, – theksoi drejtoresha Gjini.
Duke folur për numrin e mësuesve për ndarjen e re, Gjini u shpreh se “për shkollat që nuk kanë numër të shumtë maturantësh nuk është problem, ndërsa për ata që kanë numër të madh maturantësh janë angazhuar të gjithë mësuesit e shkollës së asaj lënde në mënyrë që të mbulohen të gjitha orët mësimore për përsëritje për të gjitha lëndët që janë provime të Maturës Shtetërore”.
“Nga 18 maji deri më 5 qershor maturantët do të kenë mundësi të ripërsërisin lëndët e provimeve, të jenë në kontakt me mësuesit për të përsëritur konceptet dhe njohuritë kryesore të programit që do të kenë në maturën shtetërore”, – u shpreh Gjini.
Provimet e maturës zhvillohen nga data 8 qershor deri më 18 qershor dhe do të jenë 2 orë, ndërsa testet me alternativa. /atsh