Në qytetin e Vlorës u mbyll sot tregu i fruta-perimeve në zonën e njohur si ish-fabrika e orizit, pasi nuk përmbush kushtet higjieno-sanitare dhe përbën rrezik në situatën aktuale.
“Referuar raporteve të përpiluara, pas kontrolleve të ushtruara nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë, Komisioni i Mbrojtjes Civile në Qark i propozoi Kryetarit të bashkisë Vlorë, Dritan Leli, mbylljen e tregut të tregtimit të fruta-perimeve”, – bëri të ditur prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.
Sipas tij, autoritet do të marrin masa për vendosjen e tregtarëve në tregjet e tjera në qytet.
“Ndërkohë edhe tregu i madh në hyrje të qytetit është zhvendosur pranë Sahatit, duke siguruar tregtimin e produkteve në kushte optimale”, tha Mamaj.
Ndërsa drejtori i AKU-së në Vlorë, Syrja Binaj tha për mediet se “ky treg do të mbyllet deri në përmirësimin e masave dhe më pas mund të hapet sërish”.
Sipas tij, duhet të respektohet distanca, largësia, pikat e verdha, si dhe të mos qarkullojnë me mjete në treg.
“Është një nga tregjet që ka pasur problematikë më të madhe në qytet për zbatimin e masave ndaj COVID-19. Duke qenë se ky treg ka pasur qarkullim makinash, hapësira të kufizuara dhe dyndje të qytetarëve kemi hasur problematikë ku kemi këshilluar tregtarët dhe qytetarët për të respektuar masat. Por, duke qenë se nuk arritëm të shmangni këto probleme, vendosëm që kjo të mbyllet dhe të merren masat për rregullimin e tyre”, – tha Binaj. /atsh