Loading...

Turizmi këtë verë me rregulla të reja

Dy javët e parë të majit do të jenë një fazë përcaktuese për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila shpreson të çelë sezonin turistik në muajin qershor.

Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tha në një prononcim për mediet se “kemi shpresën dhe besimin që do mund të kemi një riaktivizim të sektorit të paktën në muajin qershor. Gjithçka varet se si do të reagohet ndaj liberalizimit të masave dhe dy javët e para të majit do jenë një fazë përcaktuese”.

Sipas saj, ministritë e Turizmit dhe të Shëndetësisë do të mbyllin brenda kësaj jave librin e rregullave për turizmin, me masa të veçanta për stacionet e plazhit, shërbimet hoteliere, baret e restorantet.

“Distanca dy metra e personit me personin, do të thotë që në zbatimet në terren në një stacion plazhi, një çadër nga një tjetër duket të ketë një hapësirë prej 4 metra. Edhe për tavolinat në restorante po mendohet që distanca e tavolinave dhe karrigeve nga njëra-tjetra të shkojë deri në 3 metra. Është duke u diskutuar me të gjitha strukturat e bareve dhe restoranteve që të kemi fasha të ndryshme të orareve të shërbimit, të mëngjesit, drekës dhe darkës, në mënyrë që pushuesit mos të jenë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend”, nënvizoi Moçka.

Ajo tha se “do ketë rregulla edhe për turizmin në natyrë, sitet arkeologjike, turizmin malor, të aventurës”.

Ndërsa ministri Klosi tha dje në një intervistë televizive se “për plazhet kemi një rregullore të re masash. Kemi propozuar dy variante, por një nga modelet është distanca për çadrat 3.5 metra horizontalisht”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com