Loading...

“Shqipëria e përballoi me dinjitet pandeminë”/ Spiropali: Masat drastike dhe efikase, domosdoshmëri shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore

“Shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor është një domosdoshmëri në mënyrë që e gjithë kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur ndër qytetarë dhe bluzat e bardha”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Duke ofruar një tablo të asaj që po ndodh dhe pritet të ndodh në botë si pasojë e pandemisë, Spiropali tha se “pandemia e shkaktuar nga Koronavirusi i ri ka infektuar deri tani mbi 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, ka vrarë mbi 180 mijë dhe vazhdon të infektojë dhe të vrasë përditë, me një ritëm që i afrohet një bilanci luftë.
Të martën e shkruar, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia botërore pritet të tkurret 3% gjatë 2020-s, rënia më e madhe historike që prej depresionit të madh të 1930-s. Falimentime dhe papunësi masive ishin fjalët kyçe të analizës. Amerika dhe vendet kryesore evropiane do të përjetojnë goditjen më të forte – konkretisht ekonomia e SHBA pritet të tkurret me 5. 9%, vendet e eurozonës me 7.5 %, ku Italia, një nga partnerët tanë kryesore tregtarë, do tkurret me një rekord 9.1 %, Spanja 8 %, Franca 7.2 % dhe Gjermania 7 %”.

Ajo tha se qytetet kryesore të botës të shkreta, rrugë dhe sheshe të zbrazura, nga New Yorku-u në Tokyo, nga Milano ne Bombei, e dëshmojnë me saktë se çdo statistikë, forcën tinzare të këtij armiku të vogël, por të madh, të njerëzimit.

“Shqipëria e ka përballuar me dinjitet këtë luftë të papritur. Nuk na gjeti të papërgatitur, përkundrazi Shqipëria ishte vendi dytë në Europë që mbylli shkollat dhe nga të parët që mbylli kufijtë. Kufizoi lëvizjet dhe shpalli karantinën si masë të domosdoshme. Shqipëria rezulton nga vendet me sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë më të ulët në Europë, por edhe në rajon që ka përgjithësisht një ritëm të ulët të sëmundshmërisë”, tha Spiropali.

“Spitalet tona nuk janë të tejmbushura me njerëz që luftojnë me vdekjen të varur në respiratorë. Morgjet tona nuk janë plot. Mjekët dhe infermierët tanë, falë Zotit dhe kujdesit kanë një shkallë shumë të ulët infektimi”, tha Spiropali.

“Jo se jemi pasardhës të pellazgëve mitikë e s’na gjen gjë, siçc thonë romantikët. As se rron e rron e s’vdes shqiptari, siç thonë Nolistët, apo po ra se se kemi kismet siç thonë optimist-fatalistët, por vetëm e vetëm sepse si qeveri, si shtet e si popull mund të themi me plot gojën se kemi bërë gjënë e duhur”, theksoi Spiropali.

“Masat kanë qenë drastike dhe efikase. Ashtu siç ka qenë ekzemplare rezistenca qytetare. Disiplinë, respekt për bluzat e bardha dhe udhëzimet e tyre, durim shembullor. Mbyllja në shtëpi, respektimi i fashave orare, distancimi fizik dhe shoqëror kanë shpëtuar jetë. Mirënjohje për këtë sakrificë kombëtare”, shtoi Spiropali.

“Plotësisht të vetëdijshëm se COVID-19 nuk hap plagë vetëm në mushkëri, por edhe në ekonomi kemi miratuar dy paketa që ndihmojnë 300 mijë familje dhe biznese me mbi 300 milionë dollar ndihmë direkte nga buxheti dhe garanci sovrane”, tha Spiropali.

“Jemi në një situatë të kontrolluar, por aktiviteti ekonomik dhe shoqëror, duhet të rifillojë gradualisht. Duke nisur nga java e ardhshme do të rritet me 2 orë e 30 minuta fasha orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, për të lehtësuar ekonomitë familjare, hapje graduale, duke marrë një minimum dy javor nga njëra fazë tek tjetra”, tha ministrja Spiropali.

“Është absolutisht e domosdoshme që në këtë fazë të re qytetarët dhe bizneset të respektojnë rregullat dhe masat si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit dhe karantinimit të përhapjes së mëtejshme. Më shumë njerëz në rrugë, në punë dhe kudo. Çdo kthim pas do të ishte fatal. Situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme pothuajse në gjithë botën edhe tek ne. Për sa më sipër, shtyrja e afatit të fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor është një domosdoshmëri në mënyrë që e gjithë kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur ndër qytetarë dhe bluzat e bardha”, tha Spiropali. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com