Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se deri në fillim të javës tjetër do të kemi një vendim për shkollat dhe universitetet.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë Kryeministri Rama u shpreh se “nuk është e lehtë. Deri më sot që flasim vetëm Danimarka i ka hapur shkollat, pjesërisht edhe ajo, me të gjithë kryeministrat e tjerë që kam folur kam dëgjuar pak a shumë të njëjtën gjë, nuk e dimë ende si do të bëhet, do të shikojmë çfarë do të bëjmë javë pas jave, s’kemi deri tani asnjë konkluzion për arsimin e turizmin”.
“Mos harroni, ne kemi edhe një taksirat tjetër, pasojat e tërmetit ku kemi humbur shumë shkolla në zonën më të populluar të Shqipërisë: Tiranë, Durrës e përreth dhe kjo na i ka mbipopulluar shumë nga shkollat ekzistuese. Pra risku nëse i hapim shkollat është shumë i madh”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri tha se “ne do t’i vlerësojmë të gjitha dhe do të kemi një vendim javën e ardhshme edhe për këtë”./atsh