Të hënën e 27 prillit do të rinisë shërbimi i taksive për lëvizjet brenda qytetit të cilat do të funksionojnë duke respektuar protokollet e ndërmarra në situatën e emergjencës COVID-19.
Fillimisht shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant si dhe duhet të shmangin kontaktet fizike.
Ndërkaq, nuk do të lejohet më shumë se një klient në taksi dhe ai duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet nga e njëjta familje dhe të shoqërimit me të mitur apo persona me paaftësi.
Po ashtu, kondicioneri në makinë duhet të qëndrojë i fikur ndërsa dritaret e mjetit duhet të qëndrojnë paksa të hapura. Duhen respektuar gjithashtu edhe kërkesat e ministrisë së Shëndetësisë për të mbuluar gojën dhe hundën me një pecetë ose bërryl kur kolliten apo kur teshtin, si dhe të shmanget prekja e syve, hundës ose gojës me duar të palara.
Rregulla duhet të ndiqen edhe për pagesën e udhëtimit, pasi shoferi pas pagesës me kartë apo kesh, shoferi dhe pasagjeri duhet të dezinfektojnë duart. Ndërkohë shoferi pas çdo pasagjeri, duhet të dezinfektojë: timonin, dorezat e dyerve të mjetit, sediljet, rripat e sigurimit, kontrollet e dritareve, butonin e bagazhit./atsh