Loading...

Rregullat për dyqanet e veshjeve, klienti nuk duhet t’i provojë rrobat, maskat e dorezat të detyrueshme

Me hapjen e dyqaneve brenda fashës orare deri në 17:30, bizneset janë të detyruara të respektojnë protokollin e sigurisë të vendosur nga qeveria në kuadër të masave higjieno-sanitare për mbrojtjen nga COVID-19.

Sipas këtij protokolli në dyqanet e rrobave duhet që punonjësit të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse si dhe të jenë të pajisur me maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

Në portalin “e-Albania” është publikuar protokolli i masave higjieno sanitare në dyqanet e tregtimit të rrobave me pakicë, ku theksohet se “në hyrje të dyqanit duhet të ketë higjienizues të duarve për klientët dhe në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta furnizues. Klienti duhet të mbajë dorezat dhe maskën mbrojtëse dhe duhet të garantohet e respektohet distanca prej 2 metrash midis klientit dhe personelit të punësuar. Pas veprimeve me cash/karta krediti punonjësit duhet të dezinfektojnë duart”.

“Shitësi i shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në radhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Po ashtu klienti nuk duhet që t’i provojë rrobat në trup, por mbi rrobat ekzistuese kur është e mundur, e pas blerjes rroba duhet larë fillimisht e pastaj duhet veshur”, theksohet në protokoll.

Po ashtu rekomandohet që subjekti të reklamojë sa më shumë shërbimin “delivery” në adresë.

Ndërsa duhet që të bëhet ajrim i dyqanit sipas mundësisë minimalisht 3 herë në ditë.

“Respektimi i këtyre rregullave është i rëndësishëm në këtë periudhë pandemie botërore dhe duhet që të zbatohet nga shitësi, klienti dhe furnizuesi”, thuhet në protokollin e publikuar në “e-Albania”.

Po ashtu çdo administrator kryen çdo ditë vetëvlerësimin personal dhe të personave të punësuar nëse kanë simptoma të COVID-19. Çdo punonjës/ tregtar është i detyruar të deklarojë nëse ka patur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com