Loading...

Riatdhesimet/ Qeveria mbulon 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë ku karantinohen

Kryeministri Edi Rama foli sot edhe për riatdhesimet, ndërsa theksoi se qeveria do të paguaj 2/3 e shpenzimeve në strukturat e hotelerisë ku ata do të karantinohen dhe do të vendosim personelin shëndetësor duke krijuar kushtet antiCOVID-19.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Rama tha se “ne ia kemi dalë të mos bëjmë asnjë gabim deri tani”.

“Dëgjojmë që këta të riatdhesuarit t’i çojmë të punojnë tokën. Dëngla. Sepse nuk është as dëshira as një imagjinatë e lindur nga dëshira për t’i shtrënguar njerëzit që na detyron për hir të shëndetit e mbrojtjes së jetës t’i karantinojmë, por janë faktet me të cilat ne përballemi çdo ditë, duke marrë çdo ditë informacion për gjithçka ndodh në të gjitha vendet e planetit çdo ditë. Ne ia kemi dalë të mos bëjmë asnjë gabim deri tani”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje shembullin e Singaporit që dëshmoi se si riatdhesimet sollën një valë të re të infektuarish. “Singapori është shembulli më fantastik në valën e parë, por kur riatdhesimi i mbi 500 studentëve solli një valë të dytë infektimesh”, tha Rama.

“Po ju them edhe diçka, nuk dua të kthehem shumë në kohë por në kohën kur ikën nga qeveria ata që sot dalin e qajnë hallin e të varfërve dhe atyre me ndihmë ekonomike, i detyroheshin atyre 45 milionë dollarë që nuk ia kishin dhënë fare dhe nuk kishte fare as pandemi as tërmet, ishte thjesht pandemia dhe tërmeti i mënyrës se si funksiononin ata, plus edhe gjithë ato detyrime për të përmbyturit në Shkodër”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se ndihma 50 milionë euro e dhënë nga BE për të përballuar situatën në sistemin shëndetësor, nuk janë para që futen në qese, por janë një fond që do të disbursohet deri në mars të vitit tjetër. Akoma nuk ka ardhur transhi i parë 4 milionë euro, nuk ka asnjë qindarkë të huaj deri tani në këtë proces, zero. Janë përballuar nga buxheti i shtetit deri tani”, tha Rama. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com