Loading...

Përballja me COVID-19, Hajdari përgëzon ministren e Shëndetësisë: Keni bërë punë shumë të mirë

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari përshëndeti sot punën e bërë nga mMinistrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Unë po hedh hapin e parë. Zonja ministre e Shëndetësisë ishit e vetmja sot që vërtet dhatë një fjalë që ishte për t’u duartrokitur dhe për t’ju thënë që keni bërë një punë shumë të mirë. Unë si nënë, si grua, si përfaqësuese e këtij parlamenti, dua t’ju uroj për punën që keni bërë”, tha Hajdari në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend.

Hajdari u shpreh se, “se në parlament mungon solidariteti, humanizmi, një lloj politike ndryshe në këtë vend”.

“Ky ka qenë viti më sfidues për shqiptarët. Ky ka qenë viti më i vështirë në 20 vitet e fundit. Shqiptarët u përballën me 2 tërmete, humbjen e jetëve më shumë se në 20 vitet e fundit. Shqiptarët ndihen sot më të varfër sesa kurrë. Dhe ne sot në këtë sallë jemi kaq egoistë, kaq të pandrojtur për të folur kundër njëri-tjetrit”, theksoi Hajdari.

“Kur do t’i themi shqiptarëve që kjo sallë do përdoret vetëm për shëndetin, ekonominë, politikat që ndihmojnë jetën e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për mbështetje për ndihmë. Ne nuk dimë t’ua japim”, tha Hajdari.

Hajdari u shpreh se “ato që po bën qeveria nuk janë të mjaftueshme, përkundrazi. Unë dëgjova z. Ahmetaj i cili gënjeu drejtpërdrejt, sepse Kosova është vendi që na ka lënë neve pas, sesi po e menaxhon sidomos gjendjen ekonomike. Kosova, vend më i vogël se ne po arrin t’i shërbejë popullit të vet më mirë se ne”.

Hajdari tha se, “mënyra sesi po izolohet çdo informacion që ka zero transparencë në ekzekutiv në mënyrën që bëhet sot çdo masë që vjen nga ekzekutivi është pa asnjë lloj transparence. Të vjen keq të vjen për të qarë, të vjen për të ulëritur. Kemi një ekzekutiv, i cili vetëm po mundohet të abuzojë me gjendjen aktuale. Abuzon sot të jeni të sigurt që do i përgjigjet popullit ditën e zgjedhjeve”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com