Të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e COVID-19 të cilët përfitojnë nga vendimi i qeverisë pagën e jashtëzakonshme prej 40 mijë lekësh mund të aplikojnë që nga dita e sotme me anë të një formulari “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2” tek portal i Tatimeve.
Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka publikuar mënyrën e aplikimit për pagën e luftës, nga paketa e dytë e ndihmës financiare.
Aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të përcaktuar në vendimin e qeverisë që janë: Për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë; të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 prill 2020; të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë si dhe të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 lekë.
“ Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”, thuhet në njoftimi e Tatimeve.
Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilët plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 prill e në vijim. Formulari nr. 2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë./atsh