“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”. Me këto fjalë të Kuranit të shenjtë, po ndaj me ju lajmin e ndarjes nga jeta të Hoxhë Faik Gurrës, i cili drejtoi prej vitesh Xhaminë e Dragostunjës, por edhe shumë vite si nën/Myfti i Librazhdit”, tha sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Balla shprehet se “Hoxhë Faik Gurra iu përkushtua ringritjes së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që ditën e parë të lirisë së besimit, duke marrë pjesë me një rol aktiv në Mbledhjen e parë themeluese, më 14 shkurt 1991, në Tiranë krah Kryemyftiut të Shqipërisë Haxhi Hafiz Sabri Koçi”
“Hoxhë Faik Gurrën, me të cilin si deputet i Librazhdit dhe mik i familjes, kam patur mundësinë të njihem nga afër, do ta kujtoj gjithmonë për peshën e rëndë të fjalëve, qetësinë, përkushtimin, kujdesin ndaj nevojtarëve, duke mos harruar kurrë tu mësojë besimtarëve vlerat më të larta të atdhedashurisë dhe kontributit pozitiv në shoqëri. Bashkë me Ambasadorin e SHBA në Shqipëri zotin Donald Lu në janar të vitit 2016 u ulëm këmbëkryq rreth oxhakut në shtëpinë e Hoxhë Faikut, në një bashkëbisedim mbi vlerat dhe rolin e besimit islam në bashkëjetesën fetare, duke vlerësuar së bashku kontributin e Hoxhë Gurrës në ringritjen e Xhamisë së Dragostunjës”, tha ai.
Po ashtu, Balla shton shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë Dragostunjës
“Hoxhë Faik Gurra është babai i një prej drejtuesve më të respektuar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, zotit Ylli Gurra. Dua t’i shpreh Yllit, familjes dhe gjithë Dragostunjës, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Hoxhë Faikut”, shprehet ai. /atsh