Loading...

Mjeku Pipero: Epidemia e mirëkontrolluar, hyn në fazën e dytë

Mjeku infeksionist, Prof. Pëllumb Pipero, që prej më shumë se 45 ditësh është në vijën e parë të “zjarrit”, në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, thotë për DW, se treguesit kryesorë të kësaj faze shfaqen në dy aspekte, në aspektin epidemiologjik dhe atë klinik.

Në aspektin e parë vlerësohen – koha që ka kaluar nga rasti i parë që u prek me COVID – 19, ecuria e epidemisë në bazë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara dhe piku i saj, që për viruset respiratore përkon nga java e katërt deri në javën e gjashtë. Në aspektin klinik tregues është numri i shtrimeve në spital që tregon për ecurinë e butë të epidemoisë, uljen e kurbës së rasteve të shtruara dhe rritjen e rasteve të shëruara. Ndërkohë që rastet e rënda me rrezik jete, kanë filluar të ulen” thotë për DW, Prof. Pëllumb Pipero.

Ai thekson se në fazën e dyte, që është më e gjatë se e para, barrën më të rëndë e ka shërbimi epidemiologjik, “që duhet të hetojë në mënyrë inteligjente për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja. Shërbimi spitalor pritet të jetë më i lehtësuar, nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë si deri më tani rregullat, që edhe pse disi të lehtësuara nuk duhet të ulin vigjilencën dhe kujdesin. “Rastet e reja janë asimptomatike (pa simptoma), kontakte të kontakteve me të infektuarit zbulohen nga shtimi i testimeve. Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë. Ky është një trend normal dhe i qëndrueshëm i epidemisë, që mendoj se është menaxhuar më mirë sesa në vende të tjera të rajonit” sqaron Dr. Pipero për DW./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com