Loading...

Meta: Ndryshimet në Kodin Penal janë të standardeve më të mira europiane

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se ndryshimet në Kodin Penal janë të standardeve më të mira europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fushën e shëndetit publik.

Në një intervistë në një nga mediet në vend, Meta tha se ndryshimet janë edhe më të kujdesshme se sa i ka edhe vetë Danimarka, i cili është vendi kampion i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kontinent dhe që është vendi i parë që ka shpikur edhe termin e Ombudsmanit apo të Avokatit të Popullit që në vitin 1241.

Sipas Metës, Kodi Penal kishte një boshllëk të qartë në legjislacion, dhe në rast se nuk do të miratoheshin këto ndryshime, pra jo vetëm do të kishim një boshllëk në Kodin Penal, por e gjithë sjellja do të kishte mundësi të ishte abuzive në raport me qytetarët.

“Unë nuk besoj se një qytetar i Shqipërisë është kundër, që një person i cili është diagnostifikuar nga autoritetet shëndetësore me një sëmundje të rrezikshme apo me një sëmundje ngjitëse, është i paralajmëruar nga ato në mënyrë zyrtare dhe me dashje rrezikon jetën e të tjerëve e sjell si pasojë vdekjen e tyre, gje që provohet padyshim, të mos ketë një dënim”, tha Meta.

Sipas tij, proporcionaliteti dhe siguria juridike janë tërësisht të garantuara.

“Përshkallëzimi nga masat administrative te sanksionet penale, te gjoba apo te dënimi qoftë edhe me burg janë edhe më të kujdesshme se sa vetë legjislacioni për këtë çështje i Danimarkës”, u shpreh Meta.

I pyetur mbi shtyrjen e afatit të gejndjes së fatkeqësisë natyrore, Presidenti tha se “Në vlerësimin tim një shtyrje e re 30 ditore do të ishte më e logjikshme më e arsyeshme”. Por gjithsesi, kreu i shtetit tha se e rëndësishme është të ndërtohet tashmë një rrugë më e qartë drejt rikthimit në normalitet dhe përshtatjes me këtë situateë, pasi është e qartë se kjo do të kërkojë kohën e saj.

Lidhur me efektet e infeksionit COVID-19 në disa sektorë të ekonomisë, Meta tha se duhet të përshtatemi për të rimarrë veten e funksionuar në kushtet e reja.

“Është situatë e vështirë e paparashikueshme, por në javët që vijnë do të ketë përgjigje më të qarta. E rëndësishme është të mos humbasim përqëndrimin nga rritja e testimeve, gjurmueshmëria e rasteve dhe izolimi i vatrave, sepse këto do të na krijojnë mundësinë që gradualisht të kthehemi drejt një normaliteti të ri, sepse ai normalitet që u ndamë dy muaj më parë do të na kërkojë kohë të gjatë“, tha Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com