Loading...

Mësim online deri në 29 maj, provimet e klasës së 5-të dhe 9-të do të anulohen

Mësimi për klasat e 1-11 do të vazhdojë të zhvillohet online deri në 29 maj, ndërsa provimet e klasës së 5-të dhe të 9-të do të anulohen.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, në një komunikim të drejtpërdrejtë.

“Klasat 1-11 do të zhvillojnë mësim online deri në fund të majit dhe mësimi online për to do të mbyllet 2 javë më herët. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë”, – tha Shahini.

Ministrja Shahini u shpreh se “provimet e klasës së 9-të nuk e kanë të njëjtën peshë si provimet e maturës dhe duke marrë parasysh që nuk mund të plotësojmë kushtet për kthimin në shkollë të nxënësve të klasës së 9-të kemi vendosur të marrim këtë vendim për provimet e lirimit”.

“Notat e provimeve të lirimit (klasës së 9-të) kalkulohen duke aplikuar formulën e vlerësimit të notave të shkollës së mesme të ulët, përfshirë edhe klasën e 9-të. Kjo bëhet me komisione lëndore me bazë në shkollë, por për detajet ju njoftojmë në vijim”, – shtoi ministrja.

Nxënësit e tjerë nga klasa 1-11, vijoi Shahini, do të vijojnë mësimin nga shtëpia deri më datë 29 maj 2020 – pra transmetim në RTSH dhe komunikim online mes mësuesve e nxënësve do të vijojë deri në këtë datë.

“Vlerësimet përfundimtare do të mbyllen 2 javët e para të qershorit nga mësuesit nëpër shkolla ku edhe i kanë regjistrat, duke u bazuar në notat që i kanë marrë deri më 9 mars, dhe duke marrë parasysh edhe vlerësimet në kushte shtëpie, por këto të fundit vetëm në qoftë se ndihmojnë dhe jo penalizojnë nxënësit në përmirësimin e notës. Në lidhje me këtë, MASR dhe institucionet e saj të varësisë do të nxjerrin udhëzime më të detajuara mbi vlerësimin e nxënësve. Dhe kjo nuk është vetëm një udhëzim që ndihmon mësuesit për të mbyllur notat, por është edhe një transparencë që ofrojmë për të gjithë nxënësit e prindërit që të kuptojnë se si do të mbyllet ky proces”, – nënvizoi Shahini.

Më vjen mirë, tha ajo, që deri më tani, për sa i përket mësimit të zhvilluar në kushtet e shtëpisë, kemi patur një ecuri pozitive.

“Siç e dini, 97% e nxënësve tanë janë përfshirë në komunikimin online me mësuesit e tyre dhe mësuesit kanë prodhuar 1.2 milion minuta “selfie-video” me shpjegime të mësimeve dhe përgjigje ndaj pyetjeve. Nxënësit që nuk kanë patur pajisje dixhitale për të vijuar mësimin online, jemi në proces të furnizimit me telefona smart dhe tableta, falë një donacioni shumë bujar të Fondacionit “Vodafone Albania””, – tha Shahini.

Ministrj falënderoi çdo mësues, nxënës dhe prind që u angazhua në çuarjen deri në fund të këtij viti shkollor të vështirë.

“Pavarësisht se viti shkollor mbyllet në qershor, puna jonë nuk mbyllet në qershor. Këtë verë po planifikojmë që shkollat t’i vëmë në dispozicion të më të vegjëlve, duke ofruar kurse verore argëtuese apo edhe edukative, që jo vetëm ndihmojnë me mësimin, por edhe me kthimin në normalitet të fëmijëve që kanë ndenjur mbyllur në shtëpitë e tyre për shumë kohë. Për këtë ju njoftojmë në vijim edhe duke parë sigurinë e shëndetit publik”, – bëri të ditur Shahini.

Gjithashtu, vijoi ajo, planifikojmë incizimin e leksioneve me akademi.al dhe partnerët e tjerë, për transmetim në RTSH.

“Shtatori do të na gjejë me një repertor të shtuar të lëndëve që do të mbulojmë. Që kjo të funksionojë siç duhet, edhe në përgjigje të kërkesave tuaja, për vitin 2020-2021 do të hartojmë planprogramet lëndore në mënyrë të qendërzuar, dhe jo me bazë në shkollë, që secili mësues dhe nxënës të mbulojë të njëjtat tema në të njëjtën kohë dhe të mos ketë diskrepanca mes nxënësve e mësuesve që përdorin libra të ndryshëm. Shtatori do të fillojë me përsëritjen e temave që janë zhvilluar nga shtëpia, para se të vijojmë me kurrikulën e vitit tjetër”, – tha Shahini.

Më tej ministrja tha se “siç kam cekur edhe më parë, nëse ka prindër dhe nxënës që ndihen që nuk kanë marrë mjaftueshëm mësim sivjet dhe duan ta përsërisin vitin, kanë të drejtën që të kërkojnë që të përsërisin vitin shkollor, por duhet të na njoftojnë sa më parë që është e mundur. Kjo vlen edhe për maturantët. Mësimi nga shtëpia, definitivisht ka ndikuar në rritjen e kompetencës dixhitale. Ndaj duam ta shfrytëzojmë këtë momentum të përfshijmë këtë formë mësimi (online dhe RTSH) në punën e zakonshme që bëjmë në shkolla”.

Por, tha ajo, më shumë për këtë, si dhe detajet e përfundimit të vitit akademik për arsimin e lartë, do ju njoftojmë në vijim.

Ministrja përsëriti edhe një herë 4 elementët kryesorë të mbylljes së vitit shkollor:

Shkollat hapen për maturantët nga 18 maji deri 5 qershor, nën rregulla strikte të higjienës dhe distancimit social;
Provimet e maturës mbahen mes 8 dhe 18 qershor, më të reduktuara dhe sipas plan-programeve të reja;
Provimet e klasave të 5-ta dhe 9-ta do të anulohen;
Dhe mësimi online vijon deri me 29 maj, pastaj dy javët e para të qershorit shfrytëzohen për mbylljen e vlerësimeve të fundvitit.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com