Problematikat e hasura dhe hartimi i planit të masave në vijim lidhur me menaxhimin e situatës për COVID-19 ishin në qendër të mbledhjes së Komisionit të Mbrojtjes Civile të zhvilluar nga Prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj.
Çështjet të cilat hasën më tepër diskutim konsistojnë në shtimin e kontrolleve në subjekte shërbimi si lokale apo restorante, me qëllim shmangien e hapjes së tyre, si dhe shmangien e abuzimeve me fashën orare në disa subjekte të tjera.
“Rritja e temperaturave të motit do të sjellë shtim të shkeljeve për të shkuar në plazh, gjë e cila duhet ndaluar në mënyrë kategorike. Mbeten problem tregjet e tregtimit të fruta-perime, ku qytetarët nuk respektojnë distancën, ndërsa shitësit nuk përdorin maskë dhe dorashka”, – tha prefekti Mamaj.
Sipas tij, lidhur me këtë situatë, Komisioni vendosi të bëjë shenjëzimin në çdo treg dhe mbylljen e përkohshme të tregjeve ku nuk mund të menaxhohet situata.
“Pavarësisht zgjatjes së fashës së orarit për lëvizjen e qytetarëve, lejohet lëvizja vetëm, pasi të jetë aprovuar leja, për të bërë blerjet e produkteve të nevojshme”, – tha Mamaj.
Prefekti bën të ditur se “çdo bashki ka evidentuar të moshuarit e vetmuar dhe familjet në nevojë dhe gjatë gjithë kohës së karantinës ka bërë shpërndarjen e ndihmave”.
Sa i përket dezinfektimi të ambienteve të brendshme dhe të jashtme Mamaj shprehet se “ka qenë i përditshëm në çdo bashki”.
“Policia Vendore, Policia Bashkiake, ushtria dhe inspektoratet do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë për të vlerësuar situatën dhe për të marrë masat për të parandaluar shtimin e qarkullimit pa kriter të qytetarëve”, – tha Mamaj./atsh