Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi fashat orare të fundjavës kur do të lejohen të qarkullojnë pensionistët dhe kur do të lejohet të qarkullojnë prindërit me fëmijë deri në 14 veç.
“Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00. Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare”, tha Rama.
Po ashtu, ai theksoi se “të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30”.
Kryeministri theksoi se “të shtunën, 2 maj, do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30”.
Ndërkohë, ai tha se “të dielën të gjitha do të jenë mbyllur”.
“Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private )përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse). Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, tha Rama.
Rama tha po ashtu se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, do të informojë sot planin e hapjes së mëtejshme deri në 18 maj./atsh