“Ky do të jetë viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit, falë operacionit “Forca e Ligjit”, që do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua jo pak në këtë fazë nga pandemia”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë televizive, kreu i qeverisë tha se “sot nuk ka qenë një ditë e mirë për sigurinë dhe rendin, por është absolutisht një ditë krejt e pazakonshme në raport me ecurinë e ngjarjeve dhe me ecurinë e punës së Policisë së Shtetit dhe të situatës së rendit. Kështu që unë nuk kam asnjë shqetësim në këtë drejtim përsa i përket ecurisë. Jam i bindur që ky do të jetë viti më i mirë për rendin dhe sigurinë si dhe jam i bindur që ky do të jetë viti i një shembulli të madh në raport me betejën mes shtetit dhe krimit, falë operacionit “Forca e Ligjit”, që do të vazhdojë intensivisht edhe pse u pengua jo pak në këtë fazë nga pandemia”.
Sa i përket çështjes së qyteteve, Rama tha se, “Shkodra pagoi një haraç për papërgjegjshmërinë në dhënien e mesazheve dhe për trajtimin e koronavirusit si një diversant i PS dhe në këtë aspekt nuk kemi pasur absolutisht asnjë interes, asnjë gisht, asnjë lloj qëndrimi të dyanshëm sepse ne i kemi bërë një për një detyrat si shtet”.
“Edhe largimi i Prefektit ka qenë në këtë sens që për ne nuk bëhet fjalë për të ndarë palë në këtë histori, por për të mobilizuar të gjitha forcat për t’ia dalë të gjithë së bashku. Besoj se dhe qytetarët në Shkodër , por dhe gjithë Shqipëria e di shumë mirë se çfarë mesazh iu dhanë komunitetit shkodran nga autoritetet që për ta janë më të besueshme, fatkeqësisht në një pjesë. Dhe këtu s’dua të rikthehem mbrapa, sepse Shkodra tani duket e stabilizuar dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se, “situata në Shkodër filloi të ndryshojë kur ndërhyri Presidenti i Republikës që është i opozitës kuptohet dhe ka më shumë zë mbi kryetaren pa mandat, po ç’rëndësi ka në këtë moment, të bashkisë së Shkodrës, e cila ishte lëshuar komplet si balonë pa bisht në atë situatë. Dhe disa mesazhe që erdhën me vonesë nga ana e PD, ndihmuan. Ndërkohë që patjetër ne vazhduam të bëjmë punën tone. Edhe vajtja e Prefektit të ri ishte për t’i dhënë mesazh shumë të qartë kryetares së bashkisë dhe të tjerëve që ne jemi aty për të bashkëpunuar, jo për të ngritur barrikada me njëri-tjetrin”.
Sa i përket Krujës, Rama tha se, “është rast shumë specifik. Nuk është si Shkodra. Në Shkodër kishim një situatë infektimi në disa vatra familjare. Në Krujë kemi një situatë infektimi në një vatër, që është një ndërmarrje fason. Kjo provon se në fakt fasonët në vetvete nuk janë një burim i sigurt infektimi në rast se respektohen rregullat. E vërteta është që në ndërmarrjet e tjera nuk kemi pasur probleme. Që do të thotë që kërkesa e bërë për t’i mbyllur të gjithë duke goditur mu në zemër zinxhirin ekonomik ishte një kërkesë që ne e konsideruam të paarsyeshme prandaj nuk e dëgjuam dhe s’kemi pse ta dëgjojmë aq më tepër sot kur ajo vazhdon përsëritet në atë rrotullimin e pllakës së gramafonit që dihet”. /atsh