Nga fundi i muajit maj apo fillimqershori mund të fillojnë fluturimet e para charter me turistë drejt vendit tonë nën masa shumë strikte higjieno-sanitare dhe ruajtjen e distancimit social.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë një interviste televizive theksoi se, duke parë situatën e krijuar nga COVID 19, këtë vit, do të jetë një turizëm i vështirë, por që do të nis të funksionojë por pa humbur vigjilencën. Ministri Klosi tha se mbi 80 % e turistëve vijnë në rrugë tokësore kryesisht nga rajoni.
“Në fund të muajit maj ose fillimqershori nëse gjërat shkojnë kështu siç mendojnë se po shkojnë do të fillojnë Charter-at e parë me udhëtim të dedikuar dhe me kontrolle shumë strikte me turistë të huaj dhe me kontroll të madh të higjienës, distancimit social. Do të jetë një turizëm i vështirtë, por edhe një turizëm që do të fillojë të mbajë të gjithë sistemin e turizmin. Pra shpresojmë të nisim me Charter-at e parë, kompanitë e transportit dhe prenotimet e para. Me këto kushte që kemi por pa humbur vigjilencën ne do të kemi padyshim dhe këtë vit turizëm të organizuara”,- tha Klosi.
“Asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, nuk do të kemi organizim e të madh e festa të mëdha, disko apo schuma-party, por struktura që duhet të menaxhohen në mënyrë shumë të organizuar për të ruajtur higjienën dhe distancimin. Jemi ende në fazën e duarve me shkumë dhe jo schuma-party”, u shpreh ministri Klosi.
“Mbi 80 % e turistëve vijnë nga toka shumë më tepër vizitor do të vijnë nga rajoni nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja apo Bullgaria. Sektori ka nevojë që të jetë solid pasi nuk funksionon dot vetëm nga një hotel dhe restorant, por janë mbi 200 mijë kontributor direkt ose indirekt në këtë sektor”-, theksoi Klosi. /atsh