Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që sistemi gjyqësor t’i rikthehet punës në të gjithë vendin duke filluar nga 27 prilli.
Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë,më datë 27 prill 2020.
Veprimtaria e gjykatave do të vijojë sipas kufizimeve të përcaktuara në Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.
Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se mbetet i angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me këshillat dhe kryetarët në detyrë të gjykatave, është duke punuar intensivisht për marrjen e masave me karakter organizativ dhe administrativ, në mënyrë që rifillimi i veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në çdo gjykatë të bëhet në përputhje dhe respektim të masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rifillimin e veprimtarisë së tij, në përputhje me rregulloren “Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID-19 gjatë ushtrimit të veprimtarisë së Këshillit të LartëGjyqësor”, si edhe rifillimin e procedurave administrative të pezulluara për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për ngritjen në detyrë në gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për komandimin në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për komandimin në Shkollën e Magjistraturës dhe për komandimin në Ministrinë e Drejtësisë, duke zgjatur edhe afatet respektive të kandidimit./atsh