Loading...

“Kjo luftë nuk është kush ia hedh shtetit”/ Rregullat vija e kuqe për mbrojtjen e jetës, gjithçka varet nga sjellja e secilit prej nesh

Secili prej nesh ka një përgjegjësi të madhe në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një bashkëbisedim online me qytetarët se, “sado rregulla të vëmë, sado polici të kemi, sado ndëshkime në Kodin Penal të vendosim, në fund të ditës gjithçka kryesore varet nga sjellja e secilit prej nesh”.

Rama u shpreh se kjo është “një luftë ku nuk është kush ia hedh shtetit, por secili respekton rregullat që të mos i fusë prindërve, familjes, të afërmve miqve bombat në trup.

Rama solli sërish shembullin e djalit që theu rregullat dhe vizitoi prindërit në një qytet tjetër, duke u ngjitur koronavirusin. “Një djalë që nuk duhet të lëvizte nga qyteti në qytet, pa simptoma, siç jemi pa simptoma të gjithë, niset në një zonë tjetër të vendit se e kishte marrë malli për prindërit. Dy prindër të moshuar, me probleme shëndetësore për shkak të moshës i infekton të dy. Sot prindërit janë të rrezikuar seriozisht”, tha Rama

“Atëherë çfarë do të thotë kjo, sidomos në kushtet kur do të hapemi gradualisht. Kjo do të thotë që në fund të ditës roja që nuk duhet të lëshojë istikamin është vetja jonë”, u shpreh Rama.

“Do lirohemi hap pas hapi, por në themel të çdo hapi që hedhim për t’u liruar qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Pse s’më ka marrë malli mua për të takuar nënën time. Jo po besoj që ky rregull më mbron mua, familjen time, nënën time, të gjithë të afërmit e mi dhe miqtë e mi”, tha Rama.

Rregullat, theksoi kryeministri, “janë për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe që përkufizon lirinë tonë si një mundësi që mbron aty ku fillon liria e tjetrit. Ky rregull i përbotshëm ka një komponent të ri që është mbrojtja e jetës”.

“Prindërit tanë janë gjëja më çmuar që kemi s’mund t’i rrezikojmë dhe t’i fusim në qorrsokakun e kësaj lufte ku ata janë më të rrezikuarit dhe nga ku është shumë e vështirë të dalin gjallë pastaj nga terapia intensive”, theksoi Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com