Ish-deputeti Kastriot Islami thotë se pas pandemisë së koronavirusit, vendi ynë do të përballet me një krizë ekonomike, që sipas tij, do të jetë më e rënda në historinë e Shqipërisë.
Në një intervistë për Ora News, Islami ka thënë se veç krizës Shqipërisë mund të shtohet problemi i pamjaftueshmërisë ushqimore dhe ndoshta i urisë për shumë kategori dhe familje shqiptare.
“Pas kësaj pandemie do të vijë kriza tjetër ekonomike shumë shpejt dhe kjo krizë do të jetë një krizë ndoshta nga më të rëndat në historinë e Shqipërisë. Edhe vende të zhvilluara si Franca, Gjermania, SHBA apo Anglia po përgatiten mirë për të dalë nga kjo krizë në mënyrë sa më të shpejtë dhe graduale që të shmangin një kolaps ekonomik që do të jetë me pasoja disa dhjetëra vjeçare. Për Shqipërinë mund të shtohet problemi i pamjaftueshmërisë ushqimore dhe ndoshta i urisë për shumë kategori dhe familje shqiptare.Sot pashë një revistë me 11 foto nga Afrika, India dhe në to ishte vetëm një vend nga Europa, Shqipëria, ku tregohej si ankoheshin njerëzit edhe për ushqimin e drekës”, ka thënë ish-deputeti Kastriot Islami.