Loading...

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, deklaroi sot se qendrat tregtare do të hapen të fundit, si edhe kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen.

“Insisto sa të duash, por kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen. Kështu po bën e gjithë bota dhe ne nuk do dalim jashtë të tjerëve. Nëse ke kafene, je përfituese e pagës së luftës”, – tha Rama, duke iu përgjigjur një qytetareje.

Lidhur me pagesat e sigurimeve shoqërore, Rama shtoi se “nuk ka shtyrje! Me sigurimet shoqërore nuk luhet, janë si fatura e dritave, nuk kanë shtyrje afati. Nëse shtymë afatin e sigurimeve, i bie të mos paguajmë pensionistët, e pamundur!” – nënvizoi Rama.

Sa i takon udhëtimit me makinë private për në punë, Rama nënvizoi se duhet që pasagjeri dhe drejtuesi i mjetit të jenë ulur diagonal.

“Në makinë përpara, gruaja diagonal, pas, sepse po u hap për ty, të gjithë të tjerët do të thonë se ky mbrapa është gruaja ime, dhe pse mund të jetë burrë. Prandaj të gjithë të njëjtin rregull për pak kohë besoj, duke parë sesi do shkojnë gjërat në luftën me armikun e padukshëm”, – tha Rama.

Lidhur me turizmin, Rama tha se nuk ka afate. “Nuk e di të të them se kur, por çështja e turizmit ka mbetur dhe është e hapur nga e gjithë bota dhe deri më sot s’kam dëgjuar asnjë lider nga shumë vende që unë ndjek që të ketë folur ndonjë gjë konkrete. Lokalet e dasmave me prenotime, ose do presin të bëjnë një dasmë të madhe, ose do bëjnë një të vogël online, për të bërë një të madhe më vonë”, – tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com