Italia festoi 75-vjetorin e çlirimit nga fashizmi, shumë më qetë nga sa ishte planifikuar, me këngë, flamuj dhe me një president i cili ishte vetëm në Romë, mes kufizimeve për shkak të pandemisë koronavirus.
Në fjalimin e tij, presidenti Sergio Mattarella foli për rezistencën nën okupimin nazist dhe për rindërtimin e vendit, për të inkurajuar popullsinë që po lufton kundër virusit.
Në Itali, tubimet u ndaluan për shkak të rrezikut nga infeksioni.
Megjithatë, njerëzit kënduan këngën e rezistencës “Bella ciao” dhe vunë flamuj italianë në dritaret e tyre. Shumë prej tyre i postuan këngët e tyre në internet.
Bateristi i muzikës xhaz, Paolo Fresu e luajti këtë këngë në një shesh të zbrazët në Bolonjë dhe e postoi me një video në internet.
Mattarella ishte pothuajse vetëm, ndërsa vuri kurorën në ”Altare della patria”, monumenti i atdheut, i ndërtuar në sheshin ”Venezia” të Romës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të merrnin forcë nga e kaluara e tyre për të përballuar krizën aktuale.
“Forca jonë e veçantë qëndron në njohjen se si t’i kapërcejmë vështirësitë”, tha Mattarella.
Dita e çlirimit të Italisë nuk shënohet në ditën kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi zyrtarisht, por përkujton kryengritjet nga lëvizja e rezistencës.
Italia fillimisht ishte një armik i aleatëve, por filloi më vonë të luftojë në anën e tyre.
Gjermania kapitulloi më 2 maj 1945.
Disa ditë më parë kësad date, më 25 dhe 26 prill, brigadat partizane të Italisë morën nën kontroll disa qytete të mëdha të vendit./atsh