Studentë të Mjekësisë në Itali kanë nisur një mbledhje fondesh për të ndihmuar spitalet shqiptare me mjete të nevojshme.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka bërë të ditur rastin, ku specializantët shqiptarë në Itali kanë ndërmarrë këtë iniciativë në ndihmë të vendit të tyre.
“Mjekët bëjnë pjesën e tyre. Ne bëjmë pjesën tonë”, kjo është nisma e studentëve të mjekësisë dhe specializantëve shqiptarë në Itali, për t’i ardhur në ndihmë QSUT-së dhe spitaleve rajonale në Shqipëri. Serxhio Tresa, Rezarta Kolleshi, Klorinda Çaushallari, dr. Klodian Meço dhe Ina Varfaj, janë bërë bashkë, për të ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë kaq të vështirë. Studenti i Mjekësisë, Sergio Tresa thotë se si fillim kjo fushatë nisi si një akt sensibilizimi dhe të gjithë ata që kanë mundësi, duhet të reagojnë duke e ndihmuar me aq të ardhura sa ata kanë mundësi.
“Fushata synon së pari, të sensibilizojë qytetarët mbi nevojat e domosdoshme për më shumë pajisje mbrojtëse për stafin që punon në vijë të parë të shërbimit mjekësor, si dhe për shtimin e pajisjeve për frymëmarrjen e mushkërive. Kështu të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në luftën kundër këtij armiku të padukshëm”, ka thënë ai.
Të rinjtë kanë zgjedhur një platformë shumë të besueshme për mbledhjen e fondeve siç është GoFundMe.
Të gjitha fondet do të mblidhen online në mënyrë të tillë që gjithçka të jetë sa më transparente për publikun. Ndërkohë që ecuria do të publikohet në detaje dhe mënyrë sistematike në rrjetet sociale. Deri më tani, janë arritur të mblidhen mbi 1 mijë euro dhe numri i personave që kanë kontribuar është 44.
Nisma ka vetëm pak ditë që është bërë publike, ndërsa fondet janë gjithmonë në rritje. Njerëzit janë duke kontribuar gjithnjë e më tepër. Studentët presin donacione pozitive për shtimin e pajisjeve për frymëmarrjen e mushkërive./atsh