Një aplikacion për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë në këto kohë të vështira, një platformë për të lidhur njerëzit me terapistët dhe një platformë që lidh mësuesit, studentët dhe shkollat janë tri idetë fituese të hackathon-ës online Hack the Crisis.
Një çmim prej 9.000 eurosh nga projekti BE për Inovacionin do të ndahet mes 3 ekipeve fituese.
Më shumë se 200 pjesëmarrës dhanë idetë e tyre të shkëlqyera se si të luftohet kriza e COVID-19 gjatë hackathon-ës online “Hack the Crisis”, iniciuar nga projekti i financuar nga BE-ja për inovacionin.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca u shpreh, “i kënaqur të shoh gjithë komunitetin start-up dhe të teknologjisë në Shqipëri që mblidhen për të gjetur zgjidhje për të përballuar një nga krizat më të mëdha të jetës sonë, atë të COVID-19”.
“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe idetë e mrekullueshme të të rinjve që janë bashkuar në këtë luftë,” tha ai.
Projekti “BE për Inovacion” në Shqipëri në partneritet me Crazytown / Finland & Coolab / Albania si organizatorë dhe mbi 30 institucione partnere kombëtare dhe ndërkombëtare dhe 40 mentorë, kushtuan kohën dhe burimet e tyre për të mbështetur ekipet pjesëmarrëse./ atsh