Loading...

Gati vërtetimi online në e-Albania për të gjitha bizneset që lejohen të hapen nga nesër, merret vetëm një herë

Bizneset e miratuara për hapje nga Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga java që vjen (20 – 26 prill), mund të shkarkojnë online në www.e-albania.al vërtetimin.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ky vërtetim merret vetëm një herë dhe se duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli.

“Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në www.e-albania.al sipas kategorisë përkatëse”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri publikoi edhe hapat që një biznes duhet të ndjekë për tu pajisur me këtë vërtetim.

Nëse përfaqësuesi i biznesit nuk ka një llogari ekzistuese të biznesit në e-albania, ata mund të kryejnë hapjen e saj duke u identifikuar si “Administrator” me kredencialet e tyre. Më pas klikon butonin “Regjistro” një biznes dhe plotëson të dhënat që kërkohen.

Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-Albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.

Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.

Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.

Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.

“Ruani veten, punonjësit tuaj dhe konsumatorin. Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale”, tha Kryeministri Rama.

Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur

“Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur” është një shërbim elektronik i cili u mundëson subjekteve të aplikojnë online për t’u pajisur me vërtetim që dëshmon se subjekti është i autorizuar të ushtrojë aktivitetin gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të COVID-19, në përputhje me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kujdes! Ky vërtetim duhet të mbahet gjatë gjithë kohës në ambientet e subjektit dhe t’i tregohet inspektorëve ose punonjësve të policisë në rast kontrolli.
Ky autorizim është i vlefshëm për mbajtësin, deri në momentin që aktiviteti të cilin ai ushtron është në listën e aktiviteteve të lejuara. Në rast se aktiviteti mund të përbëjë rrezikshmëri për shëndetin dhe futet në listën e aktiviteteve të mbyllura, atëherë autorizimi automatikisht humbet vlefshmërinë e tij, në momentin që njoftohet publikisht ndryshimi i kategorisë së aktivitetit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.

Hapat e procedurës

– Identifikohuni si biznes me NIPT në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”;
– Klikoni butonin” Përdor”;
– Në formularin elektronik do të shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë;
– Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të dërgohet menjëherë në adresën e email-it te biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
– Para së të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Vërtetimin e gjeneruar mund ta gjeni gjithashtu në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” tek hapësira juaj në portalin e-Albania. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com