Loading...

Festa e Pashkës/ Politika mesazhe urimi për besimtarët ortodoksë

Politika ka uruar sot besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkës duke kërkuar solidaritet njerëzor dhe renditur në urim të parët mjekët dhe infermierë që në këto ditë të vështira janë në vijnë e parë të luftës me COVID-19.

Ruçi: Solidaritetin që po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë të shoqërisë

Kryetari i Kuvendit Ruçi, ka uruar sot besimtarët ortodoksë me rastin e Festës së Pashkëve, ndërsa bëri thirrje për globalizimin e solidaritetit njerëzor.

“Me rastin e Festës së Pashkëve, u uroj të gjithë besimtarët ortodoksë si edhe të gjithë shqiptarët: Shëndet dhe lumturi në vatrat e tyre familjare!Këto Pashkë na gjejnë fizikisht të izoluar, por më shumë të bashkuar prej mesazhit thelbësor të kësaj Feste, shpresës së ringjalljes e ringritjes. Përshëndes në mënyrë të veçantë ata që Festa e Pashkëve i gjen duke luftuar në betejën për jetën, në vështirësi apo larg vatrave familjare.Sot, të gjithë kemi realizuar sesa e mrekullueshme është jeta dhe paqja dhe sa pa kuptim janë marramendja pas urrejtjes e konflikteve.Qëndresa stoike dhe beteja që po zhvillojmë për mbrojtjen e jetës na ka bindur se askush nuk shpëton duke qenë i vetëm, por në bashkëveprim, mbështetje e solidaritet me të gjithë”, shprehet Ruçi.

Po ashtu, Ruçi shton se “përditë e më shumë po bindemi se njerëzimi, pavarësisht kombeve, shteteve, pasurisë, varfërisë dhe ndarjeve që shkaktojnë ato, është një familje e madhe 7.7 miliardëshe, që u përgjigjet si një e vetme rrezikimit të jetëve njerëzore nga pandemia COVID-19.Sot është dita t’u rikthehemi edhe njëherë mësimeve të krijuesve, arkitektëve dhe ndërtuesve të qytetërimit dhe t’i zbatojmë ato jo vetëm në betejën për jetën, por në të gjithë veprimtarinë tonë. Përditë e më shumë po bindemi se nga pandemia nuk na mbrojnë vetëm vaksinat e kurat mjekësore, por edhe antitrupat e dashurisë, drejtësisë e solidaritetit njerëzor, vlera që këto kohë po shkëlqejnë në të gjithë planetin, si eliksiri më i dobishëm kundër të keqes që kërcënon njerëzimin. Prandaj me kurën e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë edhe sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.”

“Festa e Pashkëve të na frymëzojë që të punojmë më shumë për të ndalur globalizimin e të keqes, përhapjen e formave të ndryshme të dhunës, të indiferencës njerëzore ndaj njeri-tjetrit, të dobtëve, të sëmurëve, të pambrojturve, ndaj natyrës dhe mjedisit.Krahas globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, të investohemi për të globalizuar sidaritetin dhe përkushtimin njerëzor. Solidaritetin që shfaqëm dhe po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë, tipar dhe trashëgimi të shoqërisë. Mirëkuptimin fetar ta shndërrojmë në një vlerë shoqërore dhe udhërrëfyes të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë. Festa e Pashkëve na shtoftë të mirat dhe mundësitë për të gjithë, na fuqizoftë rezistencën, durimin e besimin se shumë shpejt do t’u rikthehemi gëzimeve të jetës”, u shpreh kryeparlametari Ruçi.

Xhaçka: Gëzuar Pashkën çdo besimtari ortodoks

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës.

Në urimin e saj, Xhacka e konsideron si mundësi reflektimi mbi vlerat dhe sakrificat këtë ditë.

“Ditët e vështira janë ato që më shumti na bëjnë të reflektojmë mbi vlerën e sakrificës e dashurisë. Gëzuar Pashkën çdo besimtari ortodoks. Zoti qoftë me ju e familjet tuaja!”, shprehet ajo.

Cakaj uron besimtarët ortodoksë: Pashka, dita e ngadhënjimit mbi të keqen

Ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka uruar besimtarët ortodoksë në ditën e Pashkëve do ke e konsideruar dita e ngadhënjimit mbi të keqen.

“Dita e ringjalljes së Krishtit është dita e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, që duhet të frymëzojë të gjithë dhe ta ndihmojë ngritjen shpirtërore e morale të gjithë secilit! Gëzuar pashkën të gjithë besimtarëve ortodoksë”, shprehet ai

Balla: Drita e Pashkës ndriçoftë mendjet në këto ditë të vështira që po kalon njerëzimi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka uruar besimtarët ortodoksë “Pashkë të mbarë”.

Balla uron që drita e Pashkës të ndriçojë mendjet dhe të hapë zemrat e të gjithëve në këto ditë të vështira që po kalon mbarë njerëzimi.

Ai u bën thirrje të gjithëve që të ndihmojnë më shumë ata që kanë nevojë në këto ditë të vështira, “Të falim më shumë dashuri dhe të dalim më të mirë e me ballin lart nga kjo sfidë”, shkruan Balla.

Drita e Pashkës të na ndriçojë rrugën në këto ditë të vështira që po kalon mbarë njerëzimi, të na ndriçojë mendjet, të na hapë zemrat për më shumë besim e më shumë falje. Të bëhemi më të mirë, të ndihmojmë më shumë ata që kanë nevojë, të falim më shumë dashuri dhe të dalim më të mirë e me ballin lart nga kjo sfidë”, shprehet Balla.

Basha uron të parët mjekët dhe infermierë që përballen me COVID-19

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar sot shqiptarët ortodoksë me rastin e Pashkës duke renditur të parë mjekët dhe infermierët që përballen me virusin.

“Me urimin tradicional “Krishti u ngjall” dhe këtë foto të lepurushëve të Pashkëve përgatitur nga vajzat e mia, ju urojmë familjarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë, nga mot Gëzuar!”, shprehet ai.

Po ashtu, Basha uron të parët mjekët dhe infermierë që përballen me COVID-19 në vijnë e parë të luftës.

“Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që me lutjet e tyre sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e të dashurit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shprehet ai.

Kryemadhi: Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar shqiptarët me rastin e festës së Pashkës.

Në urimin e saj, Kryemadhi shprehet se “Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje dhe se ndriçimi i zemrës përmes besimit na lartëson mbi të keqen dhe antivlerat. Fuqia e shpirtit i jep njeriut forcën për të çarë mes vështirësive dhe për të ndërtuar të ardhmen”.

Kryemadhi shton se masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk na ndajnë nga njëri-tjetri.

“Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira. Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare. Pashkë të mbara për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe gjithë familjet shqiptare. Krishti u ngjall!”, shprehet ajo./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com