Mbretëresha Elizabeth II do t’i bëjë thirrje publikut britanik të tregohet i vetëdisiplinuar, i qetë dhe me humor të mirë, përballë pandemisë së koronavirusit, sipas një transkriptimi të fjalimit të saj që do të transmetohet sonte në mbrëmje dhe që DPA e ka konsultuar.
Në një fjalim të rrallë, monarkja do ta quajë krizën shëndetësore “një përçarje që ka sjellë pikëllim, vështirësi financiare… dhe ndryshime të mëdha në jetën e përditshme të të gjithëve”.
“Shpresoj që në vitet në vijim të gjithë ne do të jemi në gjendje të krenohemi me mënyrën sesi iu përgjigjëm kësaj sfide dhe ata që do të vijnë pas nesh do të thonë se britanikët e kësaj gjenerate ishin po aq të fortë sa cilado gjeneratë tjetër”, pritet të thotë ajo.
“Vetëdisiplinimi, qetësia dhe humori e karakterizojnë akoma këtë vend”, do të thotë ajo në fjalimin e regjistruar në Windsor, nën masa të rrepta për të ndaluar përhapjen e virusit.
Britania e Madhe ka gati 42 000 raste të regjistruara me Covid-19, sëmundja e frymëmarrjes që është shkaktuar nga koronavirusi duke e bërë atë një nga vendet më të prekura në Europë.
Më shumë se 4 300 persona kanë vdekur./ atsh