Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi sot vendosjen e përdorimit të detyruar në publik të maskave nga qytetarët.
Balla gjithashtu vuri theksin se nuk ka respektim të masave nga ana e deputetëve, duke kërkuar që Kuvendi të mos vazhdojë seancën.
“Maska nuk është kombinim me veshjen, është një detyrim. Kuvendi duhet të ishte model”, tha Balla
“Përsa kohë të gjitha shtetet e Gjermanisë sot kanë miratuar në Kuvend përdorimin e maskës në çdo ambient publik do ta nxisja qeverinë të ndjeki shembujt më të mirë”, theksoi Balla.
“Maska nuk është vetëm për t’u mbrojtur, por edhe ai tjetri që nuk e mban, mund të kthehet në një shpërndarës të armikut”, tha Balla.
Balla gjithashtu sqaroi edhe pse qeveria ka kërkuar zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Sot janë 29 raste të reja”, u shpreh Balla, i cili iu drejtua deputetit Gjoni, “Z. Gjoni ju thatë që nuk është ndonjë gjë e madhe se kemi 27 jetë të humbura, për mua edhe një jetë e humbur është fatkeqësi. Kur të keni mundësi bëjini një telefonatë kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu”.
Balla u shpreh se kjo është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë. Ne iu shprehim ngushëllimet atyre familjeve që kanë humbur të dashurit. Lutemi për ata që janë në gjendje të vështirë. Në këtë situatë kaq sfiduese, për qeverinë, për sistemin tonë shëndetësor gjej rastin t’i falënderoj mjekët për punën heroike gjatë këtyre javëve”, tha Balla.
Balla shprehu “mirënjohje ndaj shprehjes së ndërgjegjes qytetare në nivelet më të larta që kanë bërë mjekët, infermierët dhe sepse ndonjëri këtu u mundua ta përdorte atë simbolikë që patën misionet e mjekëve dhe infermierëve në Itali ai prej 30 mjekësh dhe infermierësh dhe i dyti me 60 infermierë që do të shërbejnë në Marche. Ai ka qenë modeli sesi duhet të jetë bashkëpunimi në Bashkimin Europian”.
“Kolegë edhe këto masa të sotme që përfshihen në gjendjen e fatkeqësisë natyrore kanë në fakt mesazhin që jemi ende në një situatë delikat. Rreziku jemi më shumë ne njerëzit se sa virusi. Ne sot jemi rrezik potencial i vetvetes. Sulmi i armikut padyshim që nuk na gjeti në befasi. Ne kemi kaluar për mrekulli këtë fazë të parë, nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë, por shohim përditë se si kemi arritur të kemi një kurbë që është më në kontroll se në vendet e Europës. Nuk shohim të na mungojnë shtretërit e spitaleve, apo të na vdesin njerëzit nga mungesa e respiratorëve. Nuk kemi të vdekur që s’kemi ku i varrosim siç ka ndodhur në vende më të mëdha se ne. Çdo masë e marrë prej qeverisë deri tani ka dhënë rezultate të mira që deri në mars dukeshin të paimagjinueshme. Pas Italisë ishim të dytët që mbyllëm shkollat. Pa këto masa s’do ishim në këtë situatë”, deklaroi Balla.
Balla shprehu vlerësim për Shërbimin Epidemiologjik Shqiptar, “ata hetues që shkojnë në shtëpi më shtëpi për të identifikuar çdo person të prekur nga virusi”.
“Gjatë këtyre 37 ditëve, përveç luftës me armikun e padukshëm u zhvillua edhe këtu në sallë një betejë me panikun që tentuan që hapnin përfaqësues të opozitës rrugore. Hall më të madh për një vend se të kesh një opozitë që të kundërshtojë thirrjet për higjienën dhe të qëndrojë në shtëpi, s’mund të ketë. Më pas nisi një histeri për testet masive, që e rrëzoi OBSH dhe më pas shkuan deri tek fshehja e vdekjeve, nën udhëheqjen e doktor vdekjeve. Po mirë ju në Shqipëri jetoni? Apo jeni turistë. Unë njoh një turist, por s’ju dija juve. Po ku e fsheh shqiptari njeriun e vdekur? Shqiptari ka disa zakone ku dhe në këto ditë të vështira lufte, janë respektuar një më në rregullat. Si mund të dali një njeri që ka qenë president i këtij vendi , nga mëngjesi deri në darkë e të flasë se po fshihen kufomat. Thirrja ime për kolegët e opozitës parlamentare, me të cilët kemi bashkëpunuar dhe do të bashkojmë, hiqni dorë nga kjo lloj histerie dhe kjo politikë paniku”, tha Balla.
“Nëse nuk do e kishim zgjatur sot gjendjen e situatës së fatkeqësisë ju do vinit të thoshit pse nuk e zgjasni. Po nëse ne nuk e zgjasim gjendjen e fatkeqësisë natyrore, misioni më i rëndësishëm, ai humanitar që qeveria mori që në ditët e para, që në 14 mars nuk mund të vazhdojë”, theksoi Balla.
Balla foli edhe për pagesën prej 400 mijë lekë që parashikohet në paketën e zgjeruar ekonomike. “Cila nga qeveritë e rajonit e ka bërë këtë, ka mundur të dërgojë kesh në shtëpi 400 dollarë mbështetje financiare, e cila për këllqet dhe shpatullat e financave të Shqipërisë është e vështirë, por ishte e domosdoshme”, tha Balla.
Sa i përket marrëdhënieve me Presidentin Meta, Balla tha se, “nuk ka asnjë marrëdhënie të re dhe asnjë marrëdhënie të vjetër me Ilir Metën. Ai është Presidenti i Republikës. Ne jemi shumica qeverisëse dhe kemi komunikuar dhe me Institucionin e Presidencës që të mos zgjaten procedurat. Prej ditës së djeshme, me ndryshimet dhe sanksionet kemi kodin e ri”, tha Balla./atsh