Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tha se nga 700 e ca raste të konfirmuara me COVID-19 në vendin tonë, më shumë se 400 persona janë shëruar. Pipero tha se kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë.
Gjithashtu gjatë një interviste televizive mjeku Pipero theksoi se jo të gjithë janë pozitivë aktivë, pasi ata që janë pozitiv janë më pak të rrezikshëm sesa një që nuk e di që pozitiv dhe mund t’ia transmetojë të tjerëve.
“Jo të gjithë janë pozitiv aktivë, ata që janë pozitiv janë shumë herë më pak të rrezikshëm, sesa një që është pozitiv dhe nuk e di, sepse ai mund tua transmetojë të tjerëve. Nga 700 e ca raste, më shumë se 400 e ca janë shëruar tanimë. Kjo lloj shifre nuk na tremb, kjo shifër na dëshmon që virusi është këtu, masat janë adekuade, strategjia është adekuade.
Pipero tha se, “e kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë. Sipas studiuesve, piku është kur numri i rasteve pozitive shkon paralelisht me numrin e të shtruarve në spitale. Të gjithë treguesit rikonfirmojnë, se ecuria e epidemisë është nën kontroll, e menaxhuar, edhe referuar masave të qeverisë, dhe respektimit të rregullave të qytetarëve, dhe me këmbënguljen tonë”. /atsh