Deri tani janë shëruar 470 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.
Nga puna e bërë e mjekëve, rezulton se Mallakastra, Tropoja, Kavaja, Rrogozhina, Korça dhe Lezha janë zonat ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoj sot se sa i përket të prekurve nga COVID-19 sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.
Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 272 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.
Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.
Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 773 të infektuar me COVID-19, 272 raste aktive, 470 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8253 teste gjithsej.
Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh