Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se qeveria është e paaftë për t’u përballur me krizën.
I ftuar në një emision televiziv për situatën e pandemisë, Basha tha se “ka një paradoks të jashtëzakonshëm me atë që ka ndodhur sot. Sot ka zyrtarisht ka 29 të infektuar kaq sa ishin edhe në 4 prill. Pra, ndërkohë që 6 javë i është kërkuar shqiptarëve sakrificë duket se kurba e infeksioneve jo vetëm që është po aq e destabilizuar sa gjuha dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit, por karantina dhe vetizolimi, distancimi social që qytetarët ç’është e vërteta e kanë respektuar me rigorozitet të lartë nuk po jep frytet. Pse?! Sepse qeveria nuk po bën detyrat”.
“Sepse nga njëra anë lihen bombat me sahat që kemi 1 muaj që i paralajmërojmë, si fasoneritë të cilët shpërthejnë dhe pastaj përhapin infeksione në territore të tëra. Kruja, Kurbini, janë dy territore që janë shtuar në numra të frikshëm të infektuarish, pse? Sepse qeveria nuk e zgjidhi qesen për të paguar një minimum jetik për punonjëset, për nënat, për vajzat e këtyre fasonerive. Sepse e ka mendjen që këto para të vazhdojë të ja japë oligarkëve. Ku janë lekët e shqiptarëve? Se këto nuk janë lekët e Edi Ramës, këto janë lekët e taksave të shqiptarëve. Si asnjë popull tjetër në Ballkan, shqiptarët në 7 vite të qeverisjes së Edi Ramës kanë parë t’u rriten taksat nga viti në vit, kanë parë faturat t’u rriten nga viti në vit. Tani që kanë nevojë për këto para që janë paratë e tyre, tani që kanë nevojë për ndihmën e shtetit, tani shteti zhduket apo bën vetëm propagandë dhe pastaj bëjnë zgjatje të gjendjes së emergjencës”, tha ai.
Basha tha se qeveria nuk bën mjaftueshëm testime dhe s’ka marrë asnjë masë.
“Shqipëria bën 5 herë më pak teste se Maqedonia, pasi nuk u përgatit në kohë për situatën. Pse rekomandimet e OBSH-së në Shqipëri u zbatokan 5 herë më pak se në Maqedoninë e Veriut?! Jo, jo. E para e punës kjo ndodh, sepse këta nuk kanë mjaftueshëm kite testimi dhe kjo është arsyeja përse prej 2-3 javësh unë i kam kërkuar ndërkombëtarëve dhe në veçanti SHBA, BE, por edhe OBSH – që të na ndihmojnë në këto sektorë prioritarë, në veçanti tek testimi. Këta akoma nuk mjaftueshëm kite testime. Shpresoj se me ndihmën e partnereve tanë të arrijmë, por këta s’kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë dhe ka gënjyer se tha ‘i kam ndërmarrë masat’”, tha ai.
Basha shton se “në qoftë se do të bëhej testim i mjaftueshëm, sa më shumë testohet, aq më shumë të infektuar dalin. Aty ku rritet testimi, rritet edhe numri i zbulimeve. Por kjo do të tregonte, do të nxirrte në pah atë që çdo shqiptar Shqipëria është vendi ku qeveria nuk ka ngritur as gishtin më të vogël për të ndihmuar familjet, për të ndihmuar bizneset, por i ushqen me lugë bosh dhe i ushqen me të dhëna të rreme. Pse? Pikërisht për të fshehur dështimin e saj total në përballimin e kësaj krize”, tha ai. /atsh